Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Software-i i Lirë Për Arsimin

Projekti GNU mirëmban një listë programesh të lira të cilësisë së lartë për arsimin në të gjitha nivelet, të cilat i rekomandojmë.

Para se të trajtojmë subjektin në këtë ndarje, do të donim t’u kujtonim lexuesve tanë se fjala “i lirë” te “software i lirë” nuk i referohet çmimit por lirisë. Software-i i lirë është software që ju akordon liri, më hollësisht lirinë për ta xhiruar, kopjuar, shpërndarë, studiuar dhe përmirësuar software-in. Për të mësuar më tepër, shihni përkufizimin e software-it të lirë.

Ç’do të gjeni në këtë ndarje

Kjo faqe nuk përbën një listë shteruese të programeve të lira edukative të gatshme. Synimi ynë është të paraqesim shembuj për të ilustruar se si institutet arsimore mund të zbatojnë në praktikë dhe të aplikojnë konkretisht liritë që software-i i lirë u akordon. Për çdo program të përshkruar, Do të tregojmë se si aplikohen faktikisht këto liri.

Sa vijon janë shembujt që paraqesim:

 GCompris   GIMP   Tux Paint 

Disa nga programet e paraqitura këtu, të tilla si GCompris, janë pjesë e Projektit GNU. Kjo do të thotë se zhvilluesit e këtyre programeve pajtohen t’i kushtojnë rëndësi bërjes së programit të funksionojë mirë me pjesën tjetër të Sistemit GNU. Një program GNU përdor versionin më të ri të licencës që rekomandon Projekti GNU, me qëllim që të mbrojë liritë themelore të përdoruesit. Një program GNU nuk rekomandon përdorimin e çfarëdo programi jo të lirë dhe nuk i referon përdoruesit çfarëdo dokumentimi jo të lirë për software të lirë, siç përkufizohet në fushatën tonë për dokumentim të lirë.

Ata që duan të migrojnë në software-in e lirë, ose që po kërkojnë një program të lirë/libre për të kryer një punë të caktuar, duhet të shohin te Lista e Software-it të Lirë, që është një katalog i më shumë se 6 mijë programesh të lirë që xhirojnë në sisteme operativë të lirë. Në veçanti, ndarja Edukim e Listës paraqet programe që i takojnë shkallëve të ndryshme të arsimit, nga parashkollori te nivele shumë të specializuar, përfshi universitetin dhe fushën e kërkimeve.

Freeduc-USB është një diskth USB që mund të niset si sistem, i cili përmban aplikacione të dobishme për klasën.

Nëse dini një program software i lirë që përdoret nga një institucion arsimor për qëllime të caktuara, ose është ndryshuar, apo përshtatur njëfarësoj nga përdoruesit e tij për t’u pajtuar me nevojat e tyre arsimore, ju lutemi, na e bëni të ditur duke dërguar një email te <education@gnu.org>.

Na duhen lojëra të lira edukative, ose informacion rreth lojërash të lira që mund të përdoreshin për qëllime edukative. Na shkruani te <education@gnu.org>.