Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Deklaratë e GNU-së Mbi Përdorimin Nën Aftësi të Kufizuara

Projekti GNU u kërkon me forcë personave që merren me software-in e lirë të ndjekin, në GNU/Linux dhe sistemet e tjera operative, standardet dhe udhëzimet për përdorim universal nga persona me aftësi të kufizuara. Projektet shumëplatformëshe do të duhej të përdornin ndërfaqet e gatshme, ndërplatformëshe, për përdorim nën aftësi të kufizuara, që gjenden te shpërndarjet GNU/Linux dhe desktopi GNOME. Projekti GNU u këshillon gjithashtu zhvilluesve të sajteve të ndjekin udhëzimet e dhëna nga Nisma e World Wide Web Consortium-it për Përdorimin Nën Aftësi të Kufizuara.

Sipas Kombeve të Bashkuara, më 2005-n në botë kish 600 milionë vetë me paaftësi të ndryshme. Për më tepër, raporti i tyre për paaftësinë në botë tregon se më 2011 ky numër ishte rritur në një miliard. Që të përdorin kompjuterat, shumë prej tyre kanë nevojë për software special, të njohur si “teknologji për persona me aftësi të kufizuar”. Ashtu si edhe programet e tjera, këta mund të jenë të lirë ose pronësorë. Ata që janë software i lirë respektojnë lirinë e përdoruesve; pjesa tjetër, programet pronësorë, ua nënshtrojnë përdoruesit pushtetit të të zotit të programit. Nga pikëpamja etike, programet me veçori për përdorim nën aftësi të kufizuara duhet të jenë software i lirë, si programet e tjera.

Që teknologjitë e përdorimit nën aftësi të kufizuara të mund të funksionojnë, pjesa tjetër e software-it në përdorim duhet të ndërveprojë me të. Shumica e programeve të kompjuterit dhe e sajteve (85%, sipas një vlerësimi) nuk pajtohen me standardet dhe udhëzimet mbi përdorimin nën aftësi të kufizuara, ndaj edhe nuk funksionojnë me teknologjitë e përdorimit nën aftësi të kufizuara. Japin kështu një ndjesi të bezdisshme dhe mund t’u pengojnë përdoruesve pjesëmarrjen aktive në punë ose në shkollë.

Formatet pronësorë për kartelat, që kërkojnë programe pronësorë për t’u trajtuar, janë helm, si për përdorimin nga persona me aftësi të kufizuara, ashtu edhe për liritë që ne veprimtarët e software-it të lirë shpresojmë të rrënjosim. Shkelësi më i rëndë është formati Flash; ky zakonisht kërkon software pronësor që nuk bashkëpunon me veçoritë e përdorimit nën aftësi të kufizuara. Po ashtu, edhe Microsoft Silverlight. PDF-ja gjithashtu është i vështirë; edhe pse ka software të lirë për ta hapur, ky nuk mbulon software të lirë teknologjish përdorimi nën aftësi të kufizuara. Përmirësimi i kësaj është një projekt i rëndësishëm.

Personat me paaftësi e meritojnë të kenë në dorë fatin e tyre edhe në fushën e teknologjisë. Kur këta përdorin teknologji pronësore përdorimi nën aftësi të kufizuara, kanë pak ose aspak mundësi të ndreqin çfarëdo ane që nuk shkon me të. Praktikisht, krejt vendimet e rëndësishme të zhvillimeve pronësore merren nga persona që nuk kanë paaftësi; përvoja njëzetvjeçare tregon që personat me raste të pazakonta ndërthurjesh paaftësish, raste të cilët kërkojnë software relativisht të pazakontë, ose ata që ndeshin një të metë e cila i pengon të kryejnë punë, nuk kanë ndonjë rrugë që të arrijnë ndryshimet që u duhen. Këto produkte ndryshohen ose përmirësohen vetëm kur tregtuesit e tyre shohin një arsye biznesi për ta bërë këtë; kështu lihen në prapambetje mjaft përdorues. Problemi i dytë është se software-i pronësor për përdorim nga persona me aftësi të kufizuara është shumë më i shtrenjtë se vetë PC-ja. Mjaft përdorues nuk ia dalin dot të heqin dorë nga liria në këtë mënyrë.

Për përdorues me paaftësi, si edhe për krejt përdoruesit e tjerë, software-i i lirë është rruga e vetme me të cilën përdoruesit mund të kontrollojnë punën e tyre me kompjuter, shansi i tyre i vetëm për ta bërë software-in të puqet me nevojat e tyre, në vend se të pranojnë në mënyrë pasive çfarëdo që programuesit zgjedhin t’u ofrojnë atyre.

Vendet me popullsi të madhe kanë po ashtu numër të madh personash me paaftësi. Vende si Brazili dhe Rusia po diskutojnë të standardizojnë apo jo blerjet qeveritare drejt platformash GNU/Linux. Këto kombe janë të tëra nënshkruese të Konventës së Kombeve të Bashkuara të të Drejtave të Njeriut dhe të Personave me Paaftësi dhe e kanë përfshirë teknologjinë në planet e tyre për mundësimin e këtyre të drejtave. Kjo do t’u kërkojë të punësojnë programues që do të merren me krijim software-i përdorimi nën aftësi të kufizuara për popullsitë e tyre. Në qoftë i lirë software-i, do të jetë në gjendje ta përdorë edhe pjesa tjetër e botës. Hacker-at që merren me teknologjitë e lira të përdorimit nën aftësi të kufizuara do të ofrojnë mjete që personat me paaftësi mund t’i përdorin për të zgjeruar pa masë horizontin e tyre.

Ta bësh një program të përdorshëm nën aftësi të kufizuara nuk zëvendëson bërjen e tij të respektojë lirinë e përdoruesit — këto janë dy çështje të ndara — por të dyja i shkojnë njëra-tjetrës.

Rekomandime

Mos Harroni Parimet GNU

Kujtesë: Ndiqni përherë këto dy parime për të respektuar lirinë e përdoruesve.