Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.
Pse Institucionet Arsimore Do të Duhej të Përdornin dhe Ta Jepnin Mësim Software-in e Lirë
“Shkollat duhet t’u mësojnë nxënësve të jenë qytetarë të një shoqërie të fortë, të aftë, të pavarur dhe të lirë.”
Këto janë arsyet kryesore pse universitetet dhe shkollat e të gjitha niveleve duhet të përdorin përjashtimisht Software të Lirë.
Ndarje me të tjerët
Shkollat duhet t’u mësojnë nxënësve vlerën e ndarjes me të tjerët, duke u bërë shembull. Software-i i lirë e përkrah arsimin duke lejuar ndarjen me të tjerët të dijes dhe të mjeteve:
- Dije. Mjaft nxënës të rinj kanë talent në programim; janë të mahnitur nga kompjuterat dhe të paduruar të mësojnë se si funksionojnë sistemet e tyre. Me software-in pronësor, ky informacion është një gjë e fshehtë, ndaj mësuesit s’kanë ndonjë rrugë që t’ua japin nxënësve të tyre. Por nëse është Software i Lirë, mësuesi mund të shpjegojë subjektin bazë dhe mandej të japë kodin burim, që studenti ta lexojë dhe të mësojë.
- Mjete. Mësuesit mund të japin kopje të programeve që përdorin në klasë, që të munden kështu t’i përdorin në shtëpi. Me Software-in e Lirë, kopjimi jo vetëm që është i autorizuar, është i inkurajuar.
Përgjegjësi Shoqërore
Përdorimi i kompjuterit është bërë pjesë thelbësore e jetës së përditshme. Teknologjia dixhitale po e transformon shoqërinë shumë shpejt dhe shkollat kanë ndikim në të ardhmen e shoqërisë. Misioni i tyre është t’i përgatisin nxënësit për të marrë pjesë në një shoqëri të lirë dixhitale, duke u mësuar aftësitë që do t’ua bëjnë të lehtë marrjen e kontrollit mbi jetën e tyre. Software-i s’duhet të jetë nën pushtetin e një zhvilluesi software-i, i cili merr vendime në mënyrë të njëanshme, që s’mundet t’i ndryshojë kush. Institucionet arsimore s’duhet të lejojnë shoqëri software-i pronësor të imponojnë pushtetin e tyre mbi pjesën tjetër të shoqërisë dhe të së ardhmes së saj.
Pavarësi
Shkollat kanë një përgjegjësi etike për t’u mësuar nxënësve forcë, jo varësi nga një produkt i vetëm apo nga një shoqërie e caktuar e fuqishme. Më tej, duke zgjedhur të përdoret Software i Lirë, vetë shkolla fiton pavarësi nga çfarëdo interesash komerciale dhe shmang kyçje në një platformë të një tregtuesi të caktuar.
- Shoqëritë e software-it pronësor i përdorin shkollat dhe universitetet si një pedanë kërcimi për të mbërritur te përdoruesit dhe për t’i imponuar kështu krejt shoqërisë software-in përkatës. Ofrojnë për institucione arsimore zbritje në çmim, ose madje kopje falas të programeve të tyre pronësore, kështu që studentët do të mësojnë t’i përdorin dhe të bëhen të varur prej tyre. Pasi këta studentë të diplomohen, as atyre, as punëdhënësve të tyre të ardhshëm s’do t’u ofrohen kopje me ulje çmimi. Në thelb, ajo çka bëjnë këto shoqëri është rekrutim i shkollave dhe universiteteve si agjentë për t’i shpënë njerëzit drejt varësisht të permanente për gjithë jetën.
- Licencat e software-it të lirë nuk skadojnë, që do të thotë se pasi adoptohet Software-i i Lirë, institucionet mbeten të pavarura nga tregtuesi. Për më tepër, licencat e Software-it të Lirë u akordojnë përdoruesve të drejt jo vetëm për ta përdorur programin si të kenë qejf, për ta kopjuar dhe shpërndarë, por edhe për ta ndryshuar, me qëllim që të pajtohet me nevojat e tyre. Ndaj, nëse institucionet dëshirojnë, tek e fundit, të sendërtojnë një funksion të caktuar në një program, mund të shfrytëzojnë shërbime nga cilido zhvillues, për të kryer punën, në mënyrë të pavarur nga tregtuesi fillestar.
Nxënie
Kur vendosin se ku të studiojnë, gjithnjë e më shumë studentë e marrin parasysh faktin nëse një universitet jep mësim informatikë dhe zhvillim software-u duke përdorur Software-in e Lirë. Software-i lirë do të thotë se studentët janë të lirë ta studiojnë se si funksionon programi dhe të mësojnë se si ta përshtatin për nevojat e tyre. Nxënia e Software-it të Lirë ndihmon gjithashtu në studimin e etikës dhe praktikës profesionale në zhvillimin e software-it.
Kursim
Kjo është një përparësi e vetëkuptueshme, ndaj do të tërheqë menjëherë shumë nga administratorët e shkollave, por është një përfitim i dorës së dytë. Ideja kryesore e këtij aspekti është se duke qenë të autorizuar të shpërndajnë kopje të programeve, me pak ose aspak kosto, shkollat mund të ndihmojnë faktikisht familje që kanë probleme financiare, duke inkurajuar kështu mes nxënësve drejtësi dhe mundësi të barabarta në nxënie.
Cilësi
Për edukimin ka tashmë të gatshme zgjidhje të qëndrueshme, të sigurta dhe të instalueshme kollaj të Software-it të Lirë. Sido që të jetë, përsosmëria në funksionim është një përfitim dytësor; synimi përfundimtar është liria për përdoruesit e kompjuterave.
Shihni edhe: