Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.
Mësues: Ndihmojini Nxënësit Tuaj T’i Bëjnë Qëndresë Zoom-it
Kur filloi emergjenca globale COVID-19, shkollat u hodhën në mësime së largëti. Urgjenca për të garantuar vazhdimësinë e mësimeve la pak vend për debat se si të zgjidhet software që fuqizon nxënësit për të nxënë. Për pasojë, software që mohon lirinë dhe cenon privatësinë ka parë një adoptim shumë të përhapur në arsim.
Zoom, një program pronësor për takime internetore që po bëhet në mënyrë të rrezikshme gjithnjë e më popullor, është një shembull i një teknologjie të tillë dëmprurëse. Ju lutemi, mos u kërkoni nxënësve tuaj të instalojnë Zoom-in në kompjuterat e tyre, ose të përdorin versionin web i cili gjithashtu xhiron kod Zoom në kompjuterat e tyre.
Për të gjithë ata që japin mësim së largëti me Zoom-in
Është e hidhët që po përdorni Zoom-in, një program jo të lirë që spiunon përdoruesit e vet dhe u heq nxënësve tuaj lirinë e kompjuterit, tok me tuajën. Duke përdorur Zoom-in nxënësit bëhen të varur në një program që një shoqëri mund ta shtrembërojë në mënyrë të njëanshme. Liria e tyre për të mësuar mbi teknologjinë dhe se si funksionon ajo shkatërrohet.
Nëse i drejtoni nxënësit tuaj të përdorin Zoom-in, ata mund të krijojnë zakon të keq dhe të vazhdojnë ta përdorin tej mësimeve, duke dorëzuar faktikisht privatësinë e tyre në komunikime. S’do të mësojnë si të ruajnë kontrollin e të dhënave të tyre dhe përdorimit që i bëjnë kompjuterit.
Mund të përdorni software të lirë, bie fjala, BigBlueButton dhe Jitsi për të dhënë mësim së largëti, pa humbur gjë në funksionim teknik dhe, më e rëndësishmja, pa dorëzuar lirinë e nxënësve tuaj. Duke zgjedhur këto dhe programe të tjera të lira për arsimin, u bëni të mundur nxënësve të motivuar të mësojnë rreth software-it që përdorin çdo ditë dhe disa prej tyre një ditë do të jenë në gjendje ta përshtatin për nevojat e tyre, duke i shërbyer një bashkësie më të madhe. Ata që nuk do ta ndjekin këtë kërshëri, prapë do të përfitojnë nga përdorimi i një programi që respekton lirinë dhe nuk i spiunon ata. Do të zhvillojnë edhe zakonin e mbarë të moshedhjes tutje të lirisë së tyre.
Zgjedhja e software-it të lirë për mësimet tuaja do të ndikojë pozitivisht në të nxënit e përhershëm, një aftësi kyçe për çdo nxënës. Në fakt, nxënësit do të mësojnë se është në dorën e tyre të xhirojnë, studiojnë, ndryshojnë dhe ndajnë me të tjerët çfarëdo software-i që duan, në përputhje me kureshtinë dhe nevojat e tyre. Në të kundërt, duke adoptuar software pronësor, nxënësve u mësohet të bëhen thjesht “konsumatorë”[*] i një ndërfaqeje përdoruesi, pa fuqi mbi teknologjinë që po përdorin.
Nëse zgjodhët në mënyrë të pavarur përdorimin e Zoom-it në klasat tuaja, ju kërkojmë me ngulm të kaloni te diçka më etike.
Nëse Zoom-i ju është imponuar nga administrata e shkollës, ju nxisim të lidheni me ta dhe t’u kërkoni t’ju lejojnë ta ndryshoni me një program të lirë. Kërkojuni mësuesve të tjerë t’ju ndihmojnë dhe shpjegojuni pse liria e software-ti është e dorës së parë për arsimin.
Zgjidhja e fundit
Nëse nuk e hiqni dot Zoom-in, propozojmë këtë rrugëdalje të përkohshme vetëm si zgjidhje të fundit, që nxënësit të zhvillojnë lëndën tuaj pa u ndjerë të shtypur nga Zoom-i. Nuk e rekomandojmë si një zgjidhje të qëndrueshme, afatgjatë.
- Një a dy ditë para mësimit, postoni materialet pamore në ndonjë mënyrë që respekton lirinë, që kështu nxënësit të mund t’i shkarkojnë. Çfarëdo sajti i modës së vjetër është i përshtatshëm për këtë punë.
- Ftojini nxënësit të telefonojnë shërbyesin Zoom; tregojuni numrin e telefonit dhe kodin për bashkëbisedimin. Në këtë mënyrë ata mund të dëgjojnë audion e sesionit, teksa ndjekin materialet pamore tok me të.
- U thoni se ju vjen keq për përdorimin e Zoom-it dhe tregojuni cilat janë programet e lira për ta zëvendësuar. Drejtojini te https://www.gnu.org/education/edu-why.html për të parë arsyet pse software-i pronësor zi Zoom-i s’ka vend në shkolla (apo në çfarëdo aspekti tjetër të jetës.)
- Nëse lejohet, bëni një incizim të bisedës Zoom për çdo sesion dhe postojeni më pas për nxënësit. një rrugë që respekton lirinë.
Nëse shkolla juaj përdor Zoom për provime dhe nxënësit nuk pranojnë ta përdorin, atëherë ju, si një mësues, mund të ujdisni një takim tjetër në paralel ose një sesion alternativ provimesh, duke përdorur një nga programet e lira të përmendur më sipër. Një tjetër mundësi është të ujdiset një qoshe me një kompjuter që ka të instaluar Zoom dhe t’i lini nxënësit të bëjnë provimin duke përdorur atë kompjuter. Në atë mënyrë, s’do të jenë të detyruar të instalojnë software jo të lirë në kompjuterat e tyre dhe përdorimi i Zoom-it do të kufizohet te provimi. Nëse e bëni këtë, rekomandojmë që kompjuteri i shkollës të xhirojë një shpërndarje software-i të lirë.
Thjesht duke u treguar nxënësve për këtë mundësi, çka mund ta bëni më shumë se një herë, do të ndihmoni të frymëzohet qëndresa ndaj Zoom-it dhe të tjerë programeve që pengojnë lirinë dhe të shmanget ngulitja në mendjet e tyre e dorëzimit.
Prapë do të përdorni Zoom-in, që është e dëmshme për lirinë tuaj. Disa nga nxënësit tuaj ka gjasa që ende do të përdorin Zoom-in, që është e dëmshme për lirinë e tyre. Por, falë përpjekjeve tuaja, disa studentë do të jenë në gjendje ta shmangin Zoom-in dhe kjo është një fitore.
Kjo zgjidhje-rrugëdalje është menduar si një zgjidhje afatshkurtër për t’i lejuar nxënësit të shmangin Zoom-in sot, në vend se të presin vitin tjetër shkollor. Parë në perspektivë, është kyçe të migrohet në software të lirë/libre dhe programe takimesh internetore si Jitsi dhe BigBlueButton.
Krejt software-i duhet të jetë i lirë dhe ky është një hap i vogël drejt atij qëllimi. T’i thuhet JO gjërave të padrejta në punën me kompjuter, qoftë edhe një herë, përbën përparim.
Shihni se si njerëzit po i bëjnë qëndresë me sukses software-it të lirë.
[*] Fjala “konsumator” duhet shmangur, ose përdorur me kujdes.