GNU-ja me Dy Fjalë
GNU-ja [1] u nis nga Richard Stallman (rms) më 1983, si një sistem operativ që do të krijohej nga njerëz që do të punonin tok me synimin që tërë përdoruesit e kompjuterit të ishin të lirë të kontrollonin kompjuterin e tyre. Deri sot rms mbetet ende Chief GNUisance.
Synimi fillestar dhe i vazhdueshëm i GNU-së mbetet ofrimi i një sistemi të përputhshëm me Unix-in, i cili do të ishte 100% software i lirë. Jo 95% i lirë, jo 99.5%, 100%. Emri i sistemit, GNU, është një akronim rekursiv që do të thotë GNU-ja Nuk është Unix—një mënyrë për t’i dhënë hakën frymëzimit nga idetë teknike të Unix-it, teksa në të njëjtën kohë pohohet që GNU-ja është diçka tjetër. Teknikisht, GNU-ja ngjan me Unix-in. Por ndryshe nga Unix-i, GNU-ja u jep liri përdoruesve të vet.
Sot ka të passhme shpërndarje sistemi krejtësisht të lirë (“distro”) që e plotësojnë këtë synim, me shumë prej tyre që përdorin kernelin Linux-libre (marrëdhëniet mes GNU-së dhe kernelit Linux përshkruhen më në hollësi diku tjetër). Paketat GNU janë hartuar që të punojnë tok, për të pasur një sistem GNU funksional. Më vonë u pa që ato shërbejnë gjithashtu si baza kryesore e përbashkët për shumë shpërndarje, ndaj kontributi te paketat GNU ndihmon bashkësinë e software-it të lirë në përgjithësi. Kuptohet që puna për GNU-në është e pandërprerë, me synim krijimin e një sistemi që u jep përdoruesve lirinë më të madhe në kompjuter. Paketat GNU përfshijnë aplikacione përdoruesi, programe të dobishme, mjete, librari, madje dhe lojëra—krejt programet që një sistem operativ mund t’u ofrojë përdoruesve të vet. Mirëpresim paketa të reja.
Për ta bërë GNU-në atë sukses që përfaqëson sot, kanë punuar me mijëra vetë dhe ka plot rrugë për të dhënë ndihmesë, si teknike, ashtu edhe jo teknike. Zhvilluesit e GNU-së takohen herë pas here gjatë GNU Hackers Meetings, ndonjëherë edhe si pjesë e konferencave të një bashkësie më të gjerë të software-it të lirë, asaj LibrePlanet.
GNU-ja është përkrahur në rrugë të ndryshme nga Free Software Foundation, ent jofitimprurës edhe ky i themeluar nga RMS për mbrojtjen e idealeve të software-it të lirë. Mes të tjerash, FSF-ja pranon dhënie të drejtash kopjimi dhe klauzola rreth tyre, ndaj mund të përfaqësojë programe GNU në çështje gjyqësore. (Për të qenë të qartë, dhënia e një programi te GNU-ja nuk lyp transferim te FSF-ja të të drejtave të kopjimit. Nëse i jepni të drejtat e kopjimit, FSF-ja do të zbatojë GPL-në për programin, nëse dikush e shkel atë; nëse i ruani vetë të drejtat e kopjimit, zbatimi ju mbetet juve.)
Synimi përfundimtar është të ofrohet software i lirë që të mund të kryejë tërë gjërat që duan të bëjnë përdoruesit me kompjuterin—dhe për ta bërë kështu software-in pronësor kujtim të të shkuarës.
Poshtëshënim
- “GNU” shqiptohet si një rrokje me një g të dëgjueshme.