Projekti GNU
nga Richard StallmanBashkësia e parë e ndarjes së software-it me të tjerët
Kur fillova punën në Laboratorin e Inteligjencës Artificiale në MIT më 1971, u bëra pjesë e një bashkësie ku software-i ndahej mes nesh dhe që ekzistonte prej shumë vitesh. Shkëmbimi i software-it nuk kufizohej vetëm brenda bashkësisë sonë; kjo punë është aq e vjetër sa kompjuterat, njësoj si shkëmbimi i recetave është po aq i vjetër sa gatimi. Por ne e përdornim më shumë se kushdo tjetër.
Laboratori i IA-së përdorte një sistem operativ me ndarje kohe, të quajtur ITS (the Incompatible Timesharing System) që hacker-at (1) e ekipit të laboratorit e patën hartuar dhe shkruar në gjuhën asembler për Digital PDP-10, një nga kompjuterat e mëdhenj të epokës. Si anëtar i bashkësisë, hacker sistemi në ekipin e laboratorit IA, puna ime kish të bënte me përmirësimin e sistemit.
Nuk e quanim software-in tonë “software i lirë”, sepse termi ende nuk ekzistonte; por kështu qe. Kurdo që njerëz nga një universitet apo shoqëri tjetër donin ta kalonin për sistemin e tyre dhe të përdornin një program, i linim me gëzim ta bënin. Nëse shihnit dikë që përdorte një program të panjohur dhe interesant, gjithmonë mund të kërkonit të shihnit kodin burim, që të mund ta lexonit, ndryshonit, ose kanibalizonit copa prej tij për të bërë një program të ri.
Vithisja e bashkësisë
Gjendja ndryshoi papritmas në fillimet e viteve ’80 kur Digital ndërpreu prodhimin e serisë PDP-10. Arkitektura e tij, elegante dhe fuqishme në vitet ’60, nuk mund të zgjerohej në vazhdim drejt hapësirash më të mëdha adresimi që po bëheshin të mundshme në vitet ’80. Kjo do të thoshte që thuajse krejt programet që përbënin ITS-në qenë të vjetruar.
Bashkësia e hacker-ëve e laboratorit IA ishte rrënuar tashmë, jo shumë kohë më parë. Më 1981, shoqëria Symbolics, e sapolindur, pat punësuar thuajse krejt hacker-ët e laboratorit IA dhe bashkësia e shpopulluar nuk qe në gjendje të mbante veten në këmbë. (Libri "Hackers", nga Steve Levy, përshkruan këto ngjarje, si dhe jep një pamje të qartë të bashkësisë në lulëzimin e vet.) Kur laboratori IA bleu një PDP-10 më 1982, administratorët e tij vendosën të përdorin sistemin me ndarje kohe të vetë Digital-it, jo të lirë, në vend të ITS-së.
Kompjuterat modernë të epokës, si VAX apo 68020, kishin sistemin e tyre operativ, por asnjë prej tyre nuk qe software i lirë: duhej të nënshkruanit një marrëveshje mos-zbulimi madje edhe për të pasur një kopje të ekzekutueshme.
Kjo do të thoshte që hapi i parë në përdorimin e një kompjuteri ishte të premtonit se nuk do të ndihmonit as fqinjin tuaj. Bashkësia e bashkëpunimit u ndalua. Rregulli i vendosur nga padronët e software-it pronësor qe, “Nëse e ndani diçka me fqinjin tuaj, jeni pirat. Po deshët ndonjë ndryshim, na lusni që t’i bëjmë”.
Ideja se sistemi shoqëror i software-it pronësor—sistem që thotë se software-in nuk ju lejohet ta ndani me të tjerët ose ta ndryshoni—është antisocial, ngaqë është joetik, ngaqë thjesht është gabim, mund të jetë e beftë për disa lexues. Por çfarë tjetër mund të themi për një sistem të bazuar ë përçarjen e publikut dhe mbajtjen e përdoruesve në gjendje të pashpresë? Lexuesve që u duket e beftë ideja mundet ta kenë marrë sistemin social të software-it pronësor si të mirëqenë, ose ta kenë gjykuar sipas kushteve të këshilluara nga biznesi i software-it pronësor. Botuesit e software-it kanë punuar shumë dhe për një kohë të gjatë që t’i bindin njerëzit se ka vetëm një mënyrë se si mund të shihet çështja.
Kur botuesit e software-it flasin për “zbatimin me detyrim” të “të drejtave” të tyre, ose për “ndalimin e piraterisë”, çfarë faktikisht thonë, është e dorës së dytë. Mesazhi real i këtyre deklaratave gjendet në aksiomat e padeklaruara që ata i marrin të mirëqena; publikut i kërkohet t’i pranojë ato pa kritika. Ndaj le t’i marrim në shqyrtim.
Njëra aksiomë është se shoqëritë e software-it kanë të drejtën natyrore të pakundërshtueshme ta zotërojnë software-in dhe kështu kanë pushtet mbi tërë përdoruesit e tij. (Po të kishte të drejtë natyrore, atëherë pavarësisht se sa dëm i bëhet publikut, ne nuk mund të kundërshtojmë.) Çuditërisht, Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara dhe tradita ligjore e hedh poshtë këtë pikëpamje; të drejtat e kopjimit nuk janë e drejtë natyrore, por një monopol artificial i vënë me detyrim nga qeveria për të kufizuar të drejtën natyrale të përdoruesit për kopjime.
Një tjetër aksiomë e padeklaruar është që e vetmja gjë e rëndësishme në një software është ç’punë ju lejon të bëni—pra që ne përdoruesve të kompjuterit nuk duhet të na hyjë në xhep se ç’lloj shoqërie na lejohet të kemi.
Një aksiomë e tretë është se nuk do të kishim software të përdorshëm (ose se nuk do të kishim kurrë një program që bën këtë apo atë punë të caktuar) po qe se nuk do t’i ofronim një shoqërie software-i pushtet mbi përdoruesit e një programi. Kjo pikëpamje duket si më e pranueshme, deri kur lëvizja për software të lirë tregoi me prova se mund të krijojmë mjaft software të dobishëm pa vënë zinxhirë në ta.
Po qe se refuzojmë pranimin e këtyre aksiomave dhe i gjykojmë çështjet bazuar në moralin e zakonshëm të gjykimit të shëndoshë dhe duke vënë përdoruesin të parin, mbërrijmë në përfundime shumë të ndryshme. Përdoruesit e kompjuterave duhet të jenë të lirë të ndryshojnë programet që këto t’u përshtaten nevojave të tyre dhe të jenë të lirë ta ndajnë software-in me të tjerët, ngaqë të ndihmosh njerëz të tjerë është themeli i shoqërisë.
Këtu nuk ka vend të mjaftueshëm për shtjellim të zgjeruar të arsyeve që qëndrojnë prapa këtij përfundimi, ndaj po i tregoj përdoruesit “Pse Software-i S’duhet të Ketë Pronarë” dhe “Software-i i Lirë Është Edhe Më i Rëndësishëm Tani”.
Një zgjedhje e ashpër morale
Pasi u zhduk bashkësia ime, qe e pamundur të vazhdohej si më parë. Në vend të saj, u përballa me një zgjedhje morale të ashpër.
Zgjedhja e lehtë qe të hidhesha në botën e software-it pronësor, duke nënshkruar marrëveshje mos-zbulimi dhe duke premtuar të mos ndihmoj kolegë hacker-ë si vetja. Sipas shumicës së gjasave do të zhvilloja software që qe hedhur në qarkullim sipas marrëveshjesh mos-zbulimi, duke kontribuar kështu te trysnia mbi të tjerë persona që edhe këta të tradhtojnë kolegët e tyre.
Me këtë mënyrë mund të kisha bërë para dhe ndoshta edhe të dëfrehesha duke shkruar kod. Por e dija që në fund të karrierës sime, do të hidhja sytë pas mbi vitet kur ndërtoja mure për të përçarë njerëzit dhe të ndieja që e kisha harxhuar jetën time për ta bërë botën një vend më të lig.
E pata provuar tashmë të qenët përballë një marrëveshjeje mos-zbulimi, kur dikush nuk pranoi të më jepte mua dhe laboratorit AI tek MIT-i kodin burim për programin e kontrollit të shtypësit tonë. (Mungesa e disa karakteristikave në këtë program na e bënte përdorimin e shtypësit tejet të bezdisshëm.) Ndaj nuk mund t’i thosha vetes që marrëveshjet mos-zbulim qenë të pafajshme. U zemërova shumë kur na mohoi ndarjen e tij me ne; Nuk mund të ktheja shpinën dhe t’u bëja të njëjtën gjë të tjerëve.
Një zgjedhje tjetër, e thjeshtë por e papëlqyeshme, qe ta lija fushën e kompjuterave. Pas kësaj zgjedhjeje, aftësitë e mia nuk do të keqpërdoreshin, por prapë do të venin dëm. Nuk do të isha fajtor për përçarje dhe kufizim të përdoruesve, por kjo do të ndodhte prapëseprapë.
Ndaj kërkova për ndonjë rrugë me të cilën një programues të bënte diçka për të mirën. I bëra pyetjen vetes, a kish ndonjë program apo programe që mund t’i shkruaja, që të bëja të mundshme një bashkësi si njëherë e një kohë?
Përgjigja qe e qartë: çfarë duhej së pari, qe një sistem operativ. Ky është software-i kyç për t’ia filluar përdorimit të kompjuterit. Me një sistem operativ, mund të bëni mjaft gjëra; pa një të tillë, nuk e xhironi dot fare kompjuterin. Me një sistem operativ të lirë, mund të kishim sërish një bashkësi hacker-ësh që bashkëpunojnë—dhe të ftonim këdo tjetër. Dhe cilido do të ishte në gjendje të përdorte një kompjuter, pa iu dashur t’ia fillonte duke bërë plane fshehtas se si t’u heqë lirinë miqve të tij.
Si zhvillues sistemesh operativë, kisha aftësitë e duhura për këtë punë. Ndaj, edhe pse nuk mendoja se e kisha suksesin në xhep, e kuptova se isha zgjedhur për ta mbaruar këtë punë. Vendosa ta bëj sistemin të përputhshëm me Unix-in, që kështu të mund të ishte i kalueshëm dhe në këtë mënyrë përdoruesit e Unix-it të mund të hidheshin lehtë në të. Emri GNU u zgjodh sipas një tradite hacker-ësh, si shkurtim ripërsëritës për “GNU's Not Unix”. Shqiptohet si një rrokje me një g të fortë.
Me sistem operativ nuk nënkuptohet thjesht kerneli, i mjaftueshëm mezi sa të xhirojë programe të tjerë. Në vitet ’70, çdo sistem operativ që ia vlente të quhej kështu, përfshinte përpunues komandash, asembler, përpilues, interpretues, diagnostikues, përpunues teksti, postues dhe mjaft të tjera. ITS-ja i kishte, Multics-i i kishte, VMS-ja i kishte, edhe Unix-i i kishte. Do të duhej t’i përfshinte edhe sistemi operativ GNU.
Më vonë dëgjova këto fjalë, që ia veshin Hillel-it [2]:
Po s’bëra për veten, kush do të bëjë për mua?
Po qe se jam vetëm për veten time, ç’jam?
Nëse jo tani, kur?
Vendimi për të filluar Projektin GNU e pati bazën në një frymë të ngjashme.
I lirë si te liria
Termi “software i lirë” ndonjëherë keqkuptohet—nuk ka të bëjë fare me çmimin. Bëhet fjalë për lirinë. Ja, pra, ku është përkufizimi i software-it të lirë.
Për ju, një përdorues i dhënë, programi është software i lirë, nëse:
- Jeni i lirë ta xhironi programin si të doni, për çfarëdo qëllimi.
- Jeni i lirë ta ndryshoni programin për t’ia përshtatur nevojave tuaja. (Që kjo liri të jetë e efektshme në praktikë, duhet të keni hyrje në kodin burim, ngaqë bërja e ndryshimeve në një program, pa pasur kodin burim, është jashtë mase e vështirë.)
- Jeni i lirë të rishpërndani kopjet, falas ose kundrejt një pagese.
- Jeni i lirë të shpërndani versione të ndryshuara të programit, që kështu prej përmirësimeve tuaja të mund të përfitojë bashkësia.
Ngaqë “i lirë” e ka fjalën për lirinë, jo për çmimin, nuk ka kundërthënie mes shitjes së kopjeve të tij dhe software-it të lirë. Në fakt, liria për të shitur kopje të tij është pikë kyçe: koleksionet e software-it të lirë, shitur si CD-ROM, janë të rëndësishëm për bashkësinë dhe shitja e tyre është një rrugë e rëndësishme për të grumbulluar fonde për zhvillimin e software-it të lirë. Prandaj, një program, të cilin njerëzia nuk është e lirë ta përfshijë në këto koleksione nuk është software i lirë.
Për shkak të dykuptimësisë së “i lirë”, njerëzit kanë kërkuar prej kohësh për alternativa, por askush nuk ka gjetur një term më të mirë. Gjuha angleze ka më shumë fjalë dhe nuanca se cilado tjetër, por asaj i mungon një fjalë e thjeshtë, jo e dykuptimtë, që të thotë “i lirë”, si tek liria—“i çprangosur“ është më e afërta që vjen në mendje. Alternativa të tilla si “i çliruar”, “liri” dhe “i hapët” ose kanë kuptim të gabuar, ose kanë ndonjë mangësi tjetër.
Software-i GNU dhe sistemi GNU
Zhvillimi i një sistemi të plotë është projekt shumë i gjerë. Për ta prurë në jetë, vendosa të përshtat copa ekzistuese software-i të lirë, kurdo që kjo qe e mundur. Për shembull, vendosa që në fillim fare të përdor TeX-in si formatues kryesor tekstesh; ca vite më vonë, vendosa të përdor X Window System në vend që të shkruaja një tjetër sistem dritaresh për GNU-në.
Për shkak të këtyre vendimeve dhe të tjerësh si këta, sistemi GNU nuk është e njëjta gjë me koleksionin e krejt software-it GNU. Sistemi GNU përfshin programe që nuk janë software GNU, programe që qenë hartuar nga persona dhe projekte të tjerë për qëllime të tyret, por që ne mund t’i përdorim sepse janë software i lirë.
Fillimi i projektit
Në Janar të 1984-s e lashë punën time te MIT dhe fillova të shkruaj software GNU. Braktisja e MIT-it qe e domosdoshme, që MIT-i të mos ish në gjendje të fuste hundët te shpërndarja e GNU-së si software i lirë. Po të kisha ndenjur si i punësuar, MIT-i mund të pretendonte se ishte pronari i veprës, dhe mund të bënte të detyrueshme kushtet e veta për rishpërndarjen, ose edhe ta shndërronte veprën në një paketë software-i pronësor. Nuk kisha ndërmend të bëja gjithë atë punë dhe mandej ta shihja të shndërrohej në diçka të padobishme për qëllimin e menduar: krijimin e një bashkësie të re ndarjesh software-i me të tjerët.
Megjithatë, prof. Winston, atëbotë kreu i laboratorit AI në MIT, më ftoi me dashamirësi të vazhdoja të përdorja mjetet e laboratorit.
Hapat e parë
Pak para se të filloja projektin GNU, dëgjova të flitej mbi Free University Compiler Kit, i njohur edhe si VUCK. (Fjala holandeze për “i lirë” shkruhet me V.) Ky qe një përpilues i hartuar të trajtonte gjuhë të ndryshme, përfshi C dhe Pascal, si dhe të mbulonte një shumicë llojesh makinash. I shkrova autorit dhe e pyeta nëse mund të përdorej nga GNU-ja.
M’u përgjigj me tallje, duke pohuar se universiteti qe i lirë, por përpiluesi jo. Kështu që vendosa që programi im i parë për projektin GNU do të duhej të ishte një përpilues shumëgjuhësh, shumëplatformësh.
Me shpresën për të shmangur nevojën e shkrimit nga unë vetë të një përpiluesi të tërë, mora kodin burim të përpiluesit Pastel, i cili qe një përpilues shumëplatformësh i hartuar nga Lawrence Livermore Lab. Mbulonte dhe qe shkruar në një version të zgjeruar të Pascal-it, i konceptuar për të qenë gjuhë programimi sistemi. Shtova një "front end" C dhe zura ta kaloj në një kompjuter Motorola 68000. Por m’u desh të hiqja dorë, kur pashë që përpiluesi kish nevojë për shumë megabajt kujtesë dhe që sistemi Unix 68000 do të mund të lejonte vetëm 64k.
Mandej pashë që përpiluesi Pastel funksiononte duke përtypur një kartelë të tërë input-i në një pemë sintakse, duke shndërruar krejt pemën e sintaksës në një zinxhir “udhëzimesh” dhe duke prodhuar mandej një kartelë të tërë output, pa liruar fare ndonjë hapësirë. Në këtë pikë, vendosa që më duhej të shkruaja një përpilues të ri nga e para. Ky përpilues i ri tani njihet si GCC; në të s’përdoret gjë prej Pastel-it, por arrita të përshtat dhe të përdor front end-in që pata shkruar në C. Por kjo ndodhi pas ca vitesh; së pari, u mora me GNU Emacs-in.
GNU Emacs
Fillova të punoj mbi GNU Emacs-in në Shtator 1984 dhe në fillimet e 1985-s zuri të ishte i përdorshëm. Kjo më dha mundësinë të filloj të përdor sisteme Unix për përpunime; meqë nuk kisha pasur interes të mësoj vi ose ed, përpunimet e mia deri atëherë i pata bërë në lloje të tjera makinash.
Në këtë kohë, ca persona filluan të tregonin interes për përdorimin e GNU Emacs-it, çka pruri edhe çështjen se si të shpërndahej ai. Sigurisht, e kisha hedhur në shërbyesin për ftp anonime te kompjuteri që përdorja në MIT. (Ky kompjuter, prep.ai.mit.edu, u bë kështu sajti kryesor ftp për shpërndarjen e GNU-së; pas ca vitesh kur nuk e financuan më, e shpërngulëm emrin te shërbyesi ynë i ri ftp.) Por në atë kohë, mjaft persona të interesuar nuk kishin Internet dhe nuk mund të merrnin një kopje përmes ftp-së. Kështu që pyetja bëhej: çfarë duhej t’u thosha?
Mund të thosha, “Gjeni një shok që ka Internet dhe le t’ju bëjë një kopje”. Ose mund të bëja si pata bërë me PDP-10 Emacs-in origjinal: t’u thoja, “Më dërgoni një kasetë dhe një zarf SASE dhe jua nis mbrapsht me Emacs-in brenda”. Por isha i papunë, dhe po kërkoja mënyra për të bërë ca para nga software-i i lirë. Ndaj njoftova se do t’i postoja një kasetë cilitdo që dëshironte një të tillë, kundrejt pagesës $150. Në këtë mënyrë, nisa një biznes shpërndarjeje software-i të lirë, pararendësi i shoqërive që sot shpërndajnë shpërndarje të plota sistemi GNU/Linux.
A është një program i lirë për secilin përdorues?
Nëse një program është software i lirë në kohën që del nga duart e autorit të tij, kjo nuk do të thotë doemos që ka për të qenë software i lirë për cilindo që ka një kopje të tij. Për shembull, software-i në përkatësi publike (software që nuk është nën të drejta kopjimi) është software i lirë; por cilido mund të prodhojë prej tij një version të ndryshuar pronësor. Po njësoj, mjaft programe të lira janë janë nën të drejta kopjimi, por shpërndahen sipas licencash të thjeshta dorëlëshuara të cilat lejojnë versione të ndryshuara pronësore.
Shembulli përfaqësues i këtij problemi është X Window System. I hartuar në MIT dhe i hedhur në qarkullim si software i lirë, me një licence dorëlëshuar, u birësua shpejt nga shoqëri të ndryshme kompjuterash. Këto ua shtuan X-in sistemeve të tyre pronësore Unix, vetëm në formë dyore dhe nën të njëjtën marrëveshje mos-zbulimi. Këto kopje të X-it nuk qenë më tepër software i lirë se sa ç’qe Unix-i vetë.
Hartuesit e Sistemit X t Dritareve s’e quajtën problem këtë—e prisnin dhe e kishin si synim që kjo të ndodhte. Synimi i tyre nuk qe liria, por thjesht “suksesi”, i përkufizuar në trajtën “pasje e shumë përdoruesve”. Nuk shqetësoheshin në kishin a jo liri këta përdorues, por vetëm që këta të ishin shumë.
Kjo shpuri në gjendjen paradoksale, në të cilën dy mënyra të ndryshme për llogaritjen se sa liri kish, shpunë në përgjigje të ndryshme ndaj kësaj pyetjeje, “Është i lirë ky program?” Nëse gjykonit mbi bazën e lirisë së lejuar nga kushtet e shpërndarjes së hedhjes në qarkullim nga MIT-i, mund të thoshit se X qe software i lirë. Por nëse e matnit lirinë e një përdoruesi mesatar të X-it, mund të thoshit që qe software pronësor. Shumica e përdoruesve të X-it xhironin versionet pronësore që vinin bashkë me sistemet Unix, jo versionin e lirë.
Copyleft-i dhe GNU GPL
Synimi i GNU-së qe t’i jepte përdoruesve liri, jo thjeshtë të ishte popullor. Ndaj na duhej të përdornim kushte shpërndarjeje që do të parandalonin shndërrimin e software-it GNU në software pronësor. Metoda që përdorim quhet “copyleft” [3].
Copyleft-i përdor ligjin e të drejtave të kopjimit (copyright), por të kthyer përmbys, që të shërbejë për të kundërtën e qëllimit të tij të zakonshëm: në vend se një mjet për kufizimin e software-it, bëhet mjet për mbajtjen të lirë të software-it.
Ideja qendrore e copyleft-it është që ne i japim cilitdo lejen të xhirojë programin, ta kopjojë programin, ta ndryshojë programin dhe të shpërndajë versione të ndryshuara të tij—por jo leje për të shtuar në të kufizime sipas qejfit. Kështu, garantohen për këdo që zotëron një kopje liritë kyçe që përkufizojnë “software-in e lirë”; shndërrohen në të drejta të patjetërsueshme.
Për një copyleft të efektshëm, versionet e ndryshuara duhet të jenë po aq të lira. Kjo siguron që veprat e bazuara mbi tonat të mund të kihen nga bashkësia, nëse ato bëhen publike. Kur programuesit, që janë të punësuar, ofrojnë ndihmë vullnetare përmirësimin e software-it GNU, është copyleft-i ai që i pengon punëdhënësit të thonë, “Nuk mund t’i ndani me të tjerët këto ndryshime, ngaqë do t’i përdorim ne për të krijuar version tonë pronësor të programit”.
Domosdoshmëria që ndryshimet duhet të jenë të lira është thelbësore, nëse duam të sigurojmë lirinë e çdo përdoruesi të programit. Shoqëritë që privatizuan X Window System zakonisht bënë ca ndryshime që të mund ta kalonin atë në sistemet dhe hardware-in e tyre. Këto ndryshime qenë të vogla në krahasim me shtrirjen e madhe të X-it, por nuk qenë të papërfillshme. Sikur bërja e ndryshimeve të qe një shfajësim për t’u mohuar përdoruesve lirinë, do të ishte e lehtë për këdo të përfitonte prej këtij shfajësimi.
Një çështje e afërt ka të bëjë me ndërthurjen e një programi të lirë me kod jo të lirë. Një ndërthurje e tillë pashmangshmërisht do të jetë jo e lirë; cilado liri që do t’u mungonte pjesëve jo të lira, do t’i mungonte po ashtu së tërës. Lejimi i ndërthurjeve të tilla do të hapte një të çarë të madhe sa për të fundosur një anije. Prandaj, një domosdoshmëri kyçe për copyleft-in është ta mbyllë këtë të çarë: çfarëdo gjëje e shtuar ose e ndërthurur me një program nën copyleft duhet të jetë e tillë që një version më i madh, i dalë si ndërthurje, të jetë po ashtu i lirë dhe nën copyleft.
Sendërtimi specifik i copyleft-it që përdorim për shumicën e software-it GNU është licenca GNU General Public License, ose GNU GPL, për shkurt. Kemi dhe lloje të tjera copyleft-i që përdoren në rrethana të veçanta. Doracakët e GNU-së janë gjithashtu nën copyleft, por përdorin një lloj copyleft-i shumë më të thjeshtë, ngaqë GNU GPL është më komplekse se sa është e nevojshme për doracakë. [4].
Free Software Foundation
Meqë interesi për përdorimin e Emacs-i po shtohej, te projekti GNU u përfshinë të tjerë njerëz dhe vendosëm se pati ardhur koha të shihnim sërish për financim për të përkrahur zhvillimin e sistemit operativ GNU. Kështu, më 1985-n mblodha shokët që e përkrahnin synimin dhe krijuam Free Software Foundation (FSF), një shoqatë bamirëse, e përjashtuar nga tatimet, për zhvillim software-i të lirë. FSF-ja mori përsipër edhe biznesin e shpërndarjes me kaseta të Emacs-it; më pas këtë e zgjeroi duke shtuar tjetër software të lirë (GNU dhe jo-GNU) te kaseta dhe duke shitur gjithashtu doracakë të lirë (që respektojnë lirinë).
Shumica e të ardhurave të FSF-së vinin prej shitjes së kopjeve të software-it të lirë dhe të shërbimeve të tjera të ngjashme (CD-ROM-e kodi burim, CD-ROM-e me dyorë, doracakë të shtypur bukur, gjithçka me lirinë për ta rishpërndarë dhe ndryshuar), si dhe Shpërndarje Deluxe (shpërndarje për të cilat krijojmë krejt koleksionin e software-it për platformën e zgjedhur nga porositësi). Ende sot, FSF-ja shet doracakë dhe sende të tjera, por pjesa dërrmuese e financimit vjen nga kuotat e anëtarëve. Mund të anëtarësoheni te FSF-ja përmes fsf.org.
Punonjësit e Free Software Foundation-it kanë shkruar dhe administruar një numër paketash software-i GNU. Dy prej më të shquarave janë libraria dhe shelli C. Libraria GNU C është ajo çka përdoret për të komunikuar me Linux-in nga çdo program që xhiron në një sistem GNU/Linux. Qe hartuar nga një anëtar i stafit të Free Software Foundation-it, Roland McGrath. Shelli i përdorur në shumicën e sistemeve GNU/Linux është BASH-i, Bourne Again SHell [5], i cili qe hartuar prej punonjësit të FSF-së Brian Fox.
Zhvillimin e këtyre programeve e financuam sepse projekti GNU nuk qe thjesht për ca mjete apo mjedisi zhvillimesh. Synimi ynë qe një sistem operativ i plotë dhe këto programe duheshin për këtë qëllim.
Asistencë software-i të lirë
Filozofia e software-it të lirë hedh tej një praktikë të veçantë biznesi shumë të përhapur, por nuk është kundër biznesit. Kur bizneset respektojnë lirinë e përdoruesit, u urojmë sukses.
Shitja e kopjeve të Emacs-it demonstron qartë një lloj biznesi me software-in e lirë. Kur me të filloi të merrej FSF-ja, m’u desh një tjetër mënyrë për të siguruar jetesën. E gjeta te shitja e shërbimeve të lidhura me software-in e lirë që pata hartuar. Kjo përfshiu mësimdhënien, për tema të tilla se si të programohet me GNU Emacs-in dhe si të personalizohet GCC-ja, dhe zhvillim software-i, kryesisht rreth kalimit të GCC-së në platforma të reja.
Sot secili nga këta lloje biznesesh të software-it të lirë praktikohet nga një numër korporatash. Disa shpërndajnë koleksione software-i të lirë në CD-ROM; të tjerët shesin asistencë që nga niveli i dhënies përgjigje pyetjeve të përdoruesve, ndreqje të metash dhe deri te shtim veçorish të reja. Madje kemi filluar të shohim shoqëri software-i të lirë të bazuara në hedhjen në qarkullim të produkteve të reja software-i të lirë.
Kujdes, ama—një numër shoqërish që përshoqërojnë vetveten me termin “burim i hapët”, biznesin e tyre në fakt e bazojnë në software jo të lirë që punon me software-in e lirë. Këto s’janë shoqëri software-i të lirë, janë shoqëri software-i pronësor, produktet e të cilave i ndjellin përdoruesit larg lirisë. Këto programe i quajnë “paketa të vlerës së shtuar”, çka pasqyron vlerat që ata do të donin t’i shihnin të përqafuara prej nesh: leverdinë përmbi lirinë. Nëse ne vlerësojmë më tepër lirinë, do të duhej t’i quanim paketa “me liri të hequr”.
Synimet teknike
Synimi themelor i GNU-së qe software-i i lirë. Edhe nëse GNU-ja nuk do të kish përparësi teknike karshi Unix-it, do të kish përparësi në planin shoqëror, përmes lejimit të bashkëpunimit mes përdoruesve dhe një përparësi etike, respektin ndaj lirisë së përdoruesit.
Por qe e natyrshme të zbatoheshin te vepra standarde praktike të vyera—për shembull, shpërndarja dinamike e strukturave të të dhënave me qëllim shmangien e kufijve arbitrarë të madhësive fikse dhe përdorimin e krejt kodeve 8-bitësh të mundshëm kurdo që kjo kish kuptim.
Veç këtyre, hodhëm tej përqendrimin e Unix-it në madhësitë e vogla të kujtesës, duke vendosur të mos mbulonim makinat 16-bit (ishte e qartë që makinat 32-bit do të ishin normalja në kohën kur të përfundohej sistemi GNU) dhe për të mos bërë përpjekje për të ulur përdorimin e kujtesës, në rast se kjo nuk kalonte një megabajt. Në programe te të cilët trajtimi i kartelave shumë të mëdha nuk qe thelbësor, i nxitëm programuesit të lexojnë një kartelë të plotë input-i te core, mandej të skanohej lënda e saj pa u dashur të shqetësohesh për I/O.
Këto vendime u krijuan mundësinë shumë programeve GNU të tejkalojnë të ngjashmit e tyre Unix në qëndrueshmëri dhe shpejtësi.
Kompjutera të dhuruar
Dora-dorës që rritej fama e projektit GNU, njerëzit filluan të ofronin për projektin dhurim makinash që xhironin Unix. Këto qenë shumë të dobishme, ngaqë rruga më e lehtë për zhvillimin e përbërësve të GNU-së qe kryerja e tij në një sistem Unix dhe zëvendësimi i njëpasnjëshëm i përbërësve të atij sistemi. Por kjo pruri një çështje etike: qe apo nuk qe e drejtë që ne të kishim një kopje të Unix-it.
Unix-i qe (dhe është) software pronësor dhe filozofia e projektit GNU thosh që nuk duhej të përdornim software pronësor. Por, duke zbatuar të njëjtin arsyetim që shpie te përfundimi se dhuna për vetëmbrojte është e përligjur, dola në përfundimin se qe e ligjshme të përdorej një paketë pronësore kur kjo qe thelbësore për hartimin e një zëvendësuesi të lirë që do të ndihmonte të tjerat të reshtnin së përdoruri paketën pronësore.
Por, edhe pse kjo qe një e keqe që mund të përligjej, prapë qe një e keqe. Sot nuk kemi më ndonjë kopje të Unix-it, sepse i kemi zëvendësuar me sisteme operativë të lirë. Nëse nuk zëvendësonim dot sistemin operativ të një makine me një të lirë, zëvendësonim makinën.
Lista e Hapave GNU
Ndërkohë që projekti GNU ecte përpara dhe një numër gjithnjë e më i madh përbërësish sistemi u gjetën ose u hartuan, erdhi koha që qe e dobishme hartimi i një liste me zbrazëtitë e mbetura. Të cilën e përdorëm për rekrutim programuesish që do të shkruanin pjesët që mungonin. Kjo listë u bë e njohur si Lista e Punëve GNU. Veç përbërësve Unix që mungonin, shtuam në listë një larmi projektesh software dhe dokumentimi të dobishëm që, mendonim, do të duhej të përmbante një sistem vërtet i plotë.
Sot [6], zor të ketë ndonjë përbërës të Unix-it te Lista e Punëve GNU—ato punë janë mbaruar, bashkë me ca të tjera jothelbësore. Por lista është plot me projekte të cilat ca i quajnë “aplikacione”. Do të ishte diçka e dobishme të shtohej te një sistem operativ çfarëdo programi që është në interes të më shumë se një klase të ngushtë përdoruesish.
Te lista e punëve GNU përfshihen madje dhe lojëra—e kanë qenë aty që në fillim. Unix-i përfshinte lojëra, ndaj kuptohet që kështu do të duhej të bënte edhe GNU-ja. Por përputhja nuk qe problem në rastin e lojërave, ndaj nuk ndoqëm listën e lojërave që kish Unix-i. Në vend të kësaj, hodhëm në listë një gamë llojesh të ndryshme lojërash që përdoruesit mund t’i pëlqenin.
GNU Lesser GPL
Libraria GNU C përdor një lloj të veçantë copyleft-i, të quajtur GNU Lesser General Public License [7], që jep leje për lidhje të software-it pronësor me librarinë. Pse duhet ky përjashtim?
Nuk është punë parimesh; nuk ka parim që thotë se produktet e software-it pronësor janë të taksur për përfshirje të kodit tonë. (Pse duhet kontribuar te një projekt që ka në bazë mospranimin e ndarjes së tij me ne?) Përdorimi i LGPL-së për librarinë C, ose për çfarëdo librarie, është çështje strategjie.
Libraria C kryen një detyrë të thjeshtë; çdo sistem apo përpilues pronësor shoqërohet nga një librari C. Ndaj, dhënia e librarisë sonë C vetëm për software të lirë nuk do t’i sillte software-it të lirë ndonjë përparësi—vetëm sa do të shkurajonte përdorimin e librarisë sonë.
Përjashtim këtu bën vetëm një sistem: te sistemi GNU (dhe ky përfshin GNU/Linux), libraria GNU C është e vetmja librari C. Kështu që kushtet e shpërndarjes së librarisë GNU C përcaktojnë nëse është e mundur të përpilohet një program pronësor për sistemin GNU apo jo. Nuk ka arsye etike të lejohen aplikacione pronësore në sistemin GNU, por, në pikëpamje strategjike, duket se moslejimi i tyre më shumë do të shkurajonte përdorimin e sistemit GNU, se sa të nxiste zhvillimin e aplikacioneve të lira. Ja pse përdorimi i licencës Lesser GPL është strategji e mirë për librarinë C.
Për libraritë e tjera, rruga strategjike lypset të shihet rast pas rasti. Kur një librari kryen një detyrë të posaçme që mund të ndihmojë në shkrimin e një lloji programesh, atëherë hedhja në qarkullim nën GPL, duke e kufizuar vetëm për programe të lirë, është një mënyrë për të ndihmuar zhvillues të tjerë të software-i të lirë, duke u dhënë atyre një përparësi kundrejt software-it pronësor.
Kujtoni rastin e GNU Readline-it, një librari që qe hartuar për të ofruar përpunim nga rresht urdhrash për BASH-in. Readline qarkullon nën GNU GPL të zakonshme, jo nën Lesser GPL. Kjo ndoshta e ul përdorimin e Readline-it, por ne nga kjo s’humbim gjë. Ndërkohë, e pakta një aplikacion i dobishëm është kaluar si software i lirë posaçërisht që të përdorë Readline-in dhe ky është përfitim i njëmendtë për bashkësinë.
Zhvilluesit e software-it pronësor kanë përparësitë që sjell paraja; zhvilluesit e software-it të lirë lypset të krijojnë përparësi për njëri-tjetrin. Shpresoj që një ditë të kemi një koleksion të madh librarish nën GPL, të cilat nuk do të kenë paralele në krahun e software-it pronësor, që të ofrojnë module të dobishme të cilat të shërbejnë si blloqe ndërtimi për software të lirë të ri dhe ta rrisin këtë përparësi të rëndësishme, në dobi të zhvillimit të mëtejshëm të software-it të lirë.
Punë sikleti?
Eric Raymond thotë se “Çdo punë e mirë software-i zë fill nga një siklet personal i zhvilluesit”. Ndoshta ngandonjëherë është kështu, por shumë pjesë thelbësore të software-it GNU qenë hartuar me qëllim që të kihej një sistem i plotë operativ i lirë. Rrjedhin nga një përfytyrim dhe një plan, jo nga një impuls.
Për shembull, hartuam librarinë GNU C ngaqë një sistem i ngjashëm me Unix-in ka nevojë për një librari C, BASH-in ngaqë një sistem i ngjashëm me Unix-in ka nevojë për një shell dhe GNU tar-in ngaqë një sistem i ngjashëm me Unix-in ka nevojë për një program tar. E njëjta gjë është e vërtetë për programet e mi—përpiluesi GNU C, GNU Emacs, GDB dhe GNU Make.
Disa programe GNU qenë hartuar për t’u përballur me kërcënime të posaçme ndaj lirisë sonë. Kështu, hartuam gzip-in për të zëvendësuar programin Compress, të cilin bashkësia e humbi për shkak të patentave LZW. Gjetëm njerëz për hartimin e LessTif-it, dhe më vonë filluam GNOME-n dhe Harmony-në, për të trajtuar problemet e shkaktuar nga disa librari pronësore (shihni më poshtë). Po zhvillojmë GNU Privacy Guard për të zëvendësuar software-in popullor, jo të lirë, për fshehtëzime, ngaqë përdoruesit nuk do të duhej të viheshin përballë zgjedhjes: liri apo privatësi.
Sigurisht, njerëzit që shkruan këto programe shfaqën interesim për këtë punë dhe mjaft veçori janë shtuar prej personash të ndryshëm drejt e për nevojat apo interesat e tyre. Por nuk është kjo arsyeja pse ekzistojnë këto programe.
Zhvillime të papritura
Në fillimet e projektit GNU, përfytyroja që do ta zhvillonim sistemin GNU të plotë, mandej ta hidhnim në qarkullim. Nuk ndodhi kështu.
Ngaqë çdo përbërës i sistemit GNU u sendërtua në një sistem Unix, çdo përbërës mund të xhironte në sisteme Unix, shumë më përpara se sa të kishte një sistem të plotë GNU. Disa nga këto programe u bënë popullore dhe përdoruesit zunë t’i zgjeronin dhe t’i kalonin në sisteme të tjera—te versionet e ndryshme dhe jo të përputhshme të Unix-it dhe ndonjëherë edhe te sisteme të tjera.
Kjo punë i bëri këto programe më të fuqishëm dhe tërhoqi te projekti GNU si financime, ashtu edhe kontribues. Por ka gjasa që vonoi me disa vjet plotësimin e një sistemi funksional minimal, meqë koha e zhvilluesve GNU harxhohej me mirëmbajtjen e këtyre versioneve dhe shtimin e veçorive të reja te përbërëset ekzistuese, në vend që të ecej më tej me shkrimin njëri pas tjetrit të përbërësve që mungonin.
The GNU Hurd
Aty nga 1990, sistemi GNU qe thuajse i plotë; i vetmi përbërës i rëndësishëm që mungonte qe kerneli. Kishim vendosur që kernelin tonë ta sendërtonim si koleksion procesesh shërbyesi që kryheshin përsipër Mach-ut. Mach qe një mikrokernel i përgatitur nga Carnegie Mellon University dhe mandej nga University of Utah; GNU HURD është një koleksion shërbyesish (ose “herd of GNUs” - kope gnushë) që xhirojnë përsipër Mach-ut dhe që kryejnë detyra të ndryshme të kernelit Unix. Fillimi i përgatitjes u vonua ngaqë prisnim që Mach-u të hidhej në qarkullim si software i lirë, siç qe premtuar.
Një arsye pse u zgjodh ky koncept qe për shmangien e asaj çka dukej se ishte pjesa më e vështirë e punës: diagnostikimi i një programi kerneli pa një diagnostikues në nivel burimi për ta kryer këtë. Kjo pjesë e punës qe kryer tashmë, te Mach-u dhe prisnim të diagnostikonim shërbyesit HURD si programe përdoruesi, me GDB-në. Por u desh shumë kohë që kjo të bëhej e mundur dhe shërbyesit shumërrjedhësh që dërgojnë mesazhe te njëri-tjetri doli se qenë shumë të vështirë për t’i diagnostikuar. Shndërrimi i HURD-it në diçka që funksionon qëndrueshëm po zgjat këtu e shumë vite.
Alix
Kerneli GNU fillimisht nuk qe menduar të quhej HURD. Emri i tij fillestar qe Alix—emërtuar sipas emrit të femrës që kisha për zemër në ato kohë. Ajo, një administratore sistemesh Unix, kish hedhur idenë se emri i saj i përshtatej një rregullsie të rëndomtë në emërtimet e versioneve të sistemeve Unix; gjysmë me tallje, u tha miqve, “Dikush le t’i vërë emrin tim një kerneli”. Nuk thashë gjë, por vendosa t’i bëja surprizë një kernel me emrin Alix.
Por nuk vazhdoi kështu. Michael (tani Thomas) Bushnell, zhvilluesi kryesor i kernelit, parapëlqeu emrin HURD dhe e ripërkufizoi Alix-in që t’i referohej një pjese të kernel-it—pjesës që do të kapte thirrjet e sistemit dhe që do t’i trajtonte ato duke dërguar mesazhe te shërbyesit HURD.
Më pas, Alix-i dhe unë u ndamë dhe ajo ndërroi emrin; në mënyrë të pavarur, konceptimi i HURD-it u ndryshua që libraria C të mund të dërgonte mesazhe drejt e te shërbyesit dhe kjo bëri që përbërësja Alix të zhduket nga projekti.
Por para se të ndodhnin këto gjëra, një shok i saj e pa emrin Alix te kodi burim i HURD-it dhe ia përmendi asaj. Kështu që e pati rastin të shihte një kernel të quajtur me emrin e saj.
Linux dhe GNU/Linux
GNU Hurd s’është i këshillueshëm për përdorim faktik dhe nuk e dimë nëse do të jetë ndonjëherë. Skicimi me bazë aftësitë ka probleme që vijnë drejt e nga epshmëria e skicimit dhe s’është e qartë nëse ka apo jo zgjidhje.
Për fat, një kernel tjetër është gati. Më 1991, Linus Torvalds hartoi një kernel të përputhshëm me Unix-in dhe e quajti Linux. Qe pronësor fillimisht, por më 1992, e bëri Linux-in software të lirë; ndërthurja e Linux-it me sistemin ende jo të plotë GNU solli një sistem operativ të plotë të lirë. (Sigurisht, vetë ndërthurja e tyre qe punë me rëndësi.) Falë Linux-it, ne sot mund të xhirojnë faktikisht një version të sistemit GNU.
Ne e quajmë këtë version sistemi GNU/Linux, për të shprehur përbërjen e tij si një ndërthurje e sistemit GNU me Linux-in si kernel. Ju lutemi, mos bini pre e thirrjes së krejt sistemit si “Linux”, ngaqë kjo do të thotë t’ia atribuosh punën tonë dikujt tjetër. Ju lutemi, na përmendni në mënyrë të barabartë.
Sfida të së ardhmes sonë
E kemi dëshmuar aftësinë tonë për përgatitjen e një spektri të gjerë software-i të lirë. Kjo nuk do të thotë që jemi të pamposhtur dhe të pandalshëm. Disa sfida e bëjnë të ardhmen e software-it të lirë të paqartë; përballimi i tyre do të kërkojë përpjekje ngulmuese dhe durim, ndonjëherë për vite me radhë. Do të kërkojë atë lloj vendosmërie që njerëzit e shfaqin kur çmojnë lirinë e tyre dhe nuk lënë njeri t’ua marrë.
Këto sfida trajtohen në katër ndarjet vijuese.
Hardware sekret
Prodhuesit e hardware-it gjithnjë e më tepër priren t’i mbajnë të fshehta specifikimet e hardware-it. Kjo e bën të vështirë shkrimin e përudhësve të lirë, që kështu Linux-i dhe XFree86-a të mund të mbulojnë hardware të ri. Sot kemi sisteme të plotë të lirë, por nuk kemi për t’i pasur nesër po qe se nuk mbulojmë kompjuterat e së nesërmes.
Ka dy rrugë për t’u përballur me këtë problem. Programuesit mund të kryejnë retroinxhinierim për të parë se si të mbulohet një hardware i dhënë. Pjesa tjetër prej nesh mund të zgjedhë hardware që mbulohet nga software-i i lirë; me rritjen e numrit tonë, mbajtja fshehur e specifikimeve do të shndërrohet në një taktikë që sjell humbje.
Retroinxhinierimi është punë e madhe; a do të kemi programues aq të vendosur sa t’i hyjnë atij? Po—nëse kemi krijuar ndjesinë e fortë se software-i i lirë është çështje parimesh dhe se përudhësit jo të lirë janë të patolerueshëm. Dhe a do të shpenzojnë një numër i madh prej nesh para të tepërta, ose edhe pak kohë të tepërt, që ne të mund të përdorim përudhës të lirë? Po, nëse vendosmëria për të pasur liri përhapet gjerësisht. [8].
Librari jo të lira
Një librari jo e lirë që xhiron në sisteme operative të lira vepron si një kurth për zhvilluesit e software-it të lirë. Veçoritë tërheqëse të librarisë janë karrem; po qe se e përdorni librarinë, do të bini në grackë, ngaqë programi juaj nuk mund të jetë pjesë e sistemit operativ të lirë në mënyrë të dobishme. (Më troç, mund ta përfshijmë programin tuaj, por nuk do të xhironte pa librarinë që mungon.) Madje edhe më keq, nëse një program që përdor librari pronësore bëhet popullor, mund të ndjellë në grackë të tjerë programues mosdyshues.
Rasti i parë i këtij problemi qe grupi i mjeteve Motif, këtu e më ’80-n. Edhe pse nuk kishte ende sisteme operativë të lirë, qe e qartë se çfarë problemi do të shkaktonte për ta Motif-i më vonë. Projekti GNU u kundërpërgjigj me dy mënyra: duke u kërkuar projekteve individuale të software-it të lirë të mbulonin si widget-et e grupit të mjeteve të lira X, ashtu edhe ato të Motif-it dhe duke i kërkuar dikujt të shkruante një zëvendësim të lirë për Motif-in. Puna hëngri mjaft vite; LessTif, i hartuar nga Hungry Programmers, vetëm më 1997-n u bë aq i fuqishëm, sa duhej për të mbuluar shumicën e aplikacioneve Motif.
Nga 1996-a e deri më 1998, një tjetër librari jo e lirë grupmjetesh GUI përdorej në një koleksion jo të pakët software-i të lirë, desktopin KDE.
Sistemet e lira GNU/Linux nuk qenë në gjendje të përdornin KDE-në, ngaqë nuk përdornim dot librarinë. Prapëseprapë, disa shpërndarës komercialë sistemesh GNU/Linux që nuk qenë strikt lidhur me ndenjjen brenda software-it të lirë, e shtuan KDE-në te sistemet e tyre—duke prodhuar sisteme me më tepër aftësi, por më pak liri. Grupi KDE nxiste aktivisht sa më tepër programues të përdornin Qt-në dhe miliona “përdoruesve të rinj të Linux-it” s’iu është treguar ndonjëherë ideja se këtu kish një problem. Gjendja dukej e zymtë.
Bashkësia e software-it të lirë iu kundërpërgjigj problemit në dy mënyra: GNOME dhe Harmony.
GNOME, GNU Network Object Model Environment, është projekti i desktopit GNU. I nisur më 1997 nga Miguel de Icaza dhe zhvilluar me asistencën e Red Hat Software-it, GNOME synoi të ofrojë mundësi të ngjashme desktopi, por duke përdorur përjashtimisht software të lirë. Ka edhe përparësi teknike po ashtu, të tilla si mbulim për një larmi gjuhësh, jo thjesht për C++. Por synimi kryesor qe liria: të mos ia kishim nevojën asnjë software-i jo të lirë.
Harmony është një librari zëvendësimesh të përputhshme, hartuar për të bërë të mundur xhirimin e software-it KDE pa përdorur Qt-në.
Në Nëntor 1998, zhvilluesit e Qt-së bënë të ditur një ndryshim licence, e cila, kur të zbatohej, do ta shndërronte Qt-në në software të lirë. Nuk ka mënyrë për ta vërtetuar, por mendoj se pjesërisht kjo i detyrohet përgjigjes së palëkundur nga bashkësia kundrejt problemit që Qt paraqiste përpara se të qe e lirë. (Licenca e re është e paleverdishme dhe jo e paanshme, kështu që mbetet ende e dëshirueshme të shmanget përdorimi i Qt-së [9].)
Si do t’i përgjigjemi librarisë së ardhshme tunduese jo të lirë? A ka për ta kuptuar krejt bashkësia nevojën për t’i qëndruar larg grackës? Apo shumë prej nesh do të heqin dorë nga liria për hir të leverdisë dhe të shkaktojnë kështu një problem të madh? E ardhmja jonë varet nga filozofia jonë.
Patenta software-i
Rreziku më i madh me të cilin përballemi vjen nga patentat e software-it, të cilat mund të mbajnë algoritme dhe veçori programesh jashtë shtrirjes së software-it të lirë deri edhe për njëzet vjet. Patentat mbi algoritmin LZW për ngjeshje filluan të zbatoheshin më 1983 dhe ne ende s’mundemi të hedhin në qarkullim program të lirë që prodhon GIF [10] të ngjeshur si duhet. Më 1998, nën kërcënimin për hedhje në gjyq për shkelje patentash, u hoq nga qarkullimi një program i lirë që prodhonte audio të ngjeshur si MP3 [11].
Ka rrugë për t’u përballur me patentat: mund të kërkojmë për shenja që tregojnë se një patentë është e pavlefshme dhe mund të kërkojmë rrugë alternative për të kryer një punë të caktuar. Por secila nga këto metoda bën punë vetëm në disa raste; kur nuk pinë ujë që të dyja, një patentë e shtrëngon krejt software-in e lirë të mos ofrojë dot ca veçori që përdoruesit i pëlqejnë. Pas një pritje të gjatë patentat skadojnë, por ç’do të bëjmë deri atëherë?
Ata prej nesh që çmojnë software-in e lirë për hir të lirisë nuk do t’i largohen software-it të lirë, sido qoftë. Do t’ia dalim ta bëjmë punën edhe pa veçoritë e patentuara. Por, ata që software-in e lirë e vlerësojnë ngaqë presin të jetë teknikisht më sipëran, ka gjasa ta shohin si të dështuar, kur një patentë e mban të prapambetur. Ndaj, ndërkohë që është e dobishme të flitet mbi efektshmërinë praktike të modelit “katedrale” të zhvillimit dhe mbi besueshmërinë dhe fuqinë e ca software-i të lirë, nuk duhet të ndalemi me kaq. Duhet të flasim për lirinë dhe parimet.
Dokumentim i lirë
Mangësia më e madhe në sistemin tonë të lirë operativ nuk është tek software-i—është mungesa e doracakëve të mirë, të lirë, të cilët mund t’i përfshijmë në sistemet tona. Dokumentimi është pjesë thelbësore e çfarëdo pakete software; kur një paketë e rëndësishme software-i të lirë nuk vjen me një doracak të lirë të denjë, këtu ka një hendek të madh. Sot për sot kemi mjaft hendeqe të tillë.
Dokumentimi i lirë, ashtu si software-i i lirë, është çështje lirie, jo çmimi. Kriteri për doracakë të lirë është pak a shumë i njëjtë me atë për software të lirë: bëhet fjalë që t’i jepen çdo përdoruesi disa liri. Duhet t’i lejohet rishpërndarja (përfshi shitjen komerciale), on-line dhe në letër, që kështu doracaku të mund të shoqërojë çdo kopje të programit.
Leja për ndryshime është po aq kyçe. Si rregull i përgjithshëm, nuk besoj që për njerëzit është thelbësore pasja e lejes për të ndryshuar gjithë llojet e artikujve dhe librave. Për shembull, nuk mendoj se ju ose unë jemi të detyruar të japin leje për ndryshimin e artikujve si ky këtu, i cili përshkruan veprimet tona dhe pikëpamjet tona.
Por ka një arsye të veçantë pse liria për ndryshime është kyçe për dokumentimin e software-it të lirë. Kur njerëzit përdorin të drejtën e tyre për të ndryshuar software-in dhe ndryshojnë ose shtojnë karakteristika, nëse janë të vetëdijshëm, do të ndryshonin edhe doracakun—që të furnizojnë, bashkë me programin e ndryshuar, dokumentim të saktë dhe të përdorshëm. Një doracak jo i lirë, që nuk u lejon programuesve të jenë të vetëdijshëm dhe të çojnë deri në fund punën, nuk i plotëson nevojat e bashkësisë sonë.
Disa lloje kufizimesh rreth se si mund mund të kryhen ndryshimet nuk paraqesin problem. Për shembull, kërkesa për të ruajtur shënimin origjinal të autorit mbi të drejtat e kopjimit, kushtet e shpërndarjes, ose lista e autorëve, këto janë në rregull. As nuk ka problem të kërkohet që versionet e ndryshuar të përfshijnë shënimin që janë të ndryshuar, madje as të kihen ndarje të tëra që nuk mund të fshihen ose ndryshohen, për sa kohë që këto ndarje merren me gjëra joteknike. Këto lloj kufizimesh nuk janë problem, ngaqë nuk e pengojnë programuesin e vetëdijshëm ta birësojë doracakun që ky t'i përshtatet programit. Me fjalë të tjera, nuk i presin bashkësisë së software-it të lirë rrugën që ta përdorë plotësisht doracakun.
Megjithatë, duhet bërë e mundur të ndryshohet krejt lënda teknike e doracakut dhe mandej të rishpërndahet përfundimi përmes krejt mediave të zakonshme, përmes krejt kanaleve të zakonshëm; përndryshe, kufizimet i dalin përpara bashkësisë, doracaku nuk është i lirë dhe ne na duhet një doracak tjetër.
A do ta kenë zhvilluesit e software-it të lirë vetëdijen dhe vendosmërinë të prodhojnë një spektër të plotë doracakësh të lirë? Edhe një herë, e ardhmja jonë është në dorë të filozofisë.
Duhet të flasim rreth lirisë
Vlerësimet e sotme flasin për dhjetë milionë përdorues të sistemeve GNU/Linux, të tillë si Debian GNU/Linux dhe Red Hat “Linux”. Software-i i lirë ka prurë përparësi të tilla praktike, sa që përdoruesit po turren drejt tij për arsye të pastra praktike.
Rrjedhimet e mira të kësaj pune janë të dukshme: më tepër interes drejt përgatitjes së software-it të lirë, më tepër klientë për biznese të software-it të lirë dhe më tepër aftësi për të nxitur shoqëri të përgatisin software komercial të lirë në vend të produkteve software pronësor.
Por interesi mbi software-in po rritet më shpejt se vetëdija mbi filozofinë mbi të cilin ai bazohet dhe kjo shpie në probleme. Aftësia jonë për t’u përballur me sfidat dhe rreziqet e përshkruara më sipër varet nga vullneti për të qëndruar të palëkundur krah lirisë sonë. Për t’u siguruar që bashkësia jonë e ka këtë vullnet, lypset të përhapim idetë te përdoruesit e rinj, dora-dorës që këta bëhen pjesë e bashkësisë.
Por këtu po dështojmë: përpjekjet për të tërhequr në bashkësinë tonë përdorues të rinj janë shumë më lart se sa përpjekjet për t’u mësuar atyre vlerat qytetare të bashkësisë sonë. Na duhet t’i bëjmë të dyja dhe na duhet t’i mbajmë në baraspeshë të dyja përpjekjet.
“Burim i Hapët”
T’u mësoje përdoruesve të rinj lirinë u bë më e vështirë pas 1998, kur një pjesë e bashkësisë vendosi të mos përdorte më termin “software i lirë” dhe të thoshte “software me burim të hapët” më mirë.
Disa prej atyre që parapëlqyen këtë term synonin të shmangnin ngatërrimin mes “të lirë” dhe “falas”—qëllim i vlefshëm. Të tjerë, megjithatë, synonin të linin mënjanë frymën e parimit që kish motivuar lëvizjen e software-it të lirë dhe projektin GNU dhe të bëheshin tërheqës për drejtuesit e kompanive dhe biznesin, shumë prej të cilëve kanë si ideologji atë që vendos fitimin përmbi lirinë, përmbi bashkësinë, përmbi parimet. Ndaj, retorika e “burimit të hapët”; përqendrohet te potenciali për përgatitje software-i të fuqishëm, të cilësisë së lartë, por lë mënjanë idetë e lirisë, bashkësisë dhe parimeve.
Revistat “Linux” janë shembull i qartë i kësaj—ato janë plot me reklama mbi software pronësor që punon me GNU/Linux-in. Kur të nxjerrë kryet Motif-i ose Qt-ja e radhës, a do t’i sinjalizojnë përdoruesit këto revista që të rrinë larg prej tij, apo do të shfaqin reklama për të?
Mbështetja nga biznesi mund të kontribuojë për bashkësinë në forma të ndryshme; po qe se faktorët e tjerë janë në baraspeshë, kjo është e dobishme. Por të fitosh mbështetjen e tyre, duke folur më pak për lirinë dhe parimet, mund të jetë shkatërrimtare; e përkeqëson edhe më çekuilibrin mes përhapjes dhe edukimit qytetar.
“Software-i i lirë” dhe “burimi i hapët” përshkruajnë të njëjtën kategori software-i, pak a shumë, por thonë gjëra të ndryshme mbi software-in dhe mbi vlerat. Projekti GNU vazhdon të përdorë termin “software i lirë”, për të shprehur idenë që rëndësi ka liria, jo teknologjia.
Provojeni!
Aforizmi i Yoda-s (“Nuk ka ‘provoje’”) tingëllon i qëruar, por nuk funksionon për rastin tim. Shumicën e punës time e kam bërë duke qenë në ankth nëse do t’ia dilja dot apo jo dhe i pasigurt nëse do të mjaftonte për të përmbushur qëllimin, edhe nëse ia dilja. Por, sido që qe, e provova, sepse mes qytetin dhe kuçedrës nuk kish njeri tjetër veç meje. Duke befasuar vetveten, ca herë dola me sukses.
Ndonjëherë nuk ia dola dot; ca nga qytetet e mia ranë. Mandej gjeta tjetër qytet të kërcënuar dhe u bëra gati për një tjetër betejë. Gjatë kësaj kohe mësova të shoh për rreziqe dhe të vë veten mes tyre dhe qytetit tim, duke u bërë thirrje hackers-ëve të tjerë të bëhen me mua.
Sot, shpesh, nuk jam i vetmi. Lehtësohem dhe gëzohem kur shoh një regjiment hacker-ësh që hapin llogore për mbajtjen e frontit dhe e kuptoj që ky qytet mund të mbijetojë—tani për tani. Por rreziqet janë përvit e më të mëdhenj dhe tani Microsoft-i e ka vënë shprehimisht në shënjestër bashkësinë tonë. Nuk mund ta marrin të mirëqenë të ardhmen e lirisë. Mos e merrni të mirëqenë! Po qe se doni ta ruani lirinë tuaj, duhet të jeni të përgatitur ta mbroni.
Poshtëshënime
- Përdorimi i “hacker” për të nënkuptuar kështu një “shkelës të sigurisë”
është ngatërresë nga ana e masmedias. Ne hackers-ët nuk pranojmë ta njohim
këtë nënkuptim dhe vazhdojmë ta përdorim fjalën për të nënkuptuar dikë të
cilit i pëlqen të programojë, dikë të cilit i shijon mençuria lojcake, ose
një ndërthurje të të dyjave. Shihni artikullin tim, “On Hacking”.
Makinat PDP qenë veçanërisht favorizuese për hacking, ngaqë qenë të menduara për shumë qëllime, tërësisht ndërvepruese, në kontrast me mainframes të mëdhenj dhe lejonin ndarjen me të tjerët të software-it dhe informacionit. - Si ateist që jam, nuk ndjek ndonjë lider fetar, por ndonjëherë shoh se admiroj ndonjë gjë mund të ketë thënë ndonjëri prej tyre.
- Më 1984-n apo 1985-n, Don Hopkins (një djalë me shumë imagjinatë) më dërgoi një letër. Mbi zarf kishte shkruar disa thënie zbavitëse, përfshi edhe këtë: “Copyleft—all rights reversed” Përdora fjalën “copyleft” për të emërtuar konceptin e shpërndarjes që po hartoja në atë kohë.
- Tani për dokumentim përdorim Licencën e Lirë GNU për Dokumentime.
- “Bourne Again Shell” është një lojë me emrin “Bourne Shell”, i cili qe shelli i zakonshëm në Unix.
- Qe shkruar më 1998. Nga 2009 e tëhu nuk mirëmbajmë një listë të gjatë punësh. Bashkësia harton software të lirë me kaq shpejtësi sa nuk arrijmë as t’i mbajmë në vëzhgim të tërë. Në vend të kësaj, kemi një listë Projektesh të Përparësisë së Lartë, një listë shumë më e shkurtër projektesh për të cilat vërtet duam t’i nxisim njerëzit t’i shkruajnë.
- Kjo licencë fillimisht u quajt GNU Library General Public License, e riemërtuam për të shmangur dhënien e idesë se duhej përdorur nga krejt libraritë. Për më tepër hollësi, shihni Pse s’do të duhej të përdornit licencën Lesser GPL për librarinë tuaj të ardhshme.
- Shënim i 2008-s: kjo çështje prek po ashtu edhe BIOS-in. Ka një BIOS të lirë, LibreBoot (një shpërndarje e coreboot-it); problemi mbetet te pasja e specifikimeve për makinat, që kështu LibreBoot-i t’i mbulojë ato pa “blobs” jo të lirë.
- Më shtator të 2000-shit, Qt u hodh në qarkullim nën GNU GPL, çka në thelb e zgjidhi këtë problem.
- Pas 200-s, patentat për GIF kanë skaduar.
- Më 2017, patentat për MP3 kanë skaduar. Shihni sa gjatë na u desh të presim.
Botuar fillimisht në librin Burime të Hapëta. Richard Stallman-i s’ka qenë kurrë përkrahës i “burimit të hapët”, por kontribuoi me këtë artikull, që idetë e lëvizjes për software të lirë të mos ishin fare të paprekura në atë libër.
Pse është më e rëndësishme se kurrë të këmbëngulet që software-i që përdorim të jetë i lirë.