I lirë, Në Mënyrë Opsionale, S’Mjafton
Ka shpërndarje të cilat nuk pranojmë t’i rekomandojmë që cilat i ofrojnë përdoruesit mundësinë e instalimit vetëm të software-it të lirë. Me atë mundësi, një përdorues që vlerëson mjaftueshëm fort lirinë dhe e vret mendjen rreth problemit, mund t’i bëjë këto shpërndarje të respektojnë lirinë e tij.
Një shpërndarje që e ofron atë mundësi është qartazi më e mirë se një që dështon ta ofrojë atë mundësi. Por ajo mundësi nuk e bën shpërndarjen të përshtatshme për rekomandim në përgjithësi. Tek e fundit, shumica e njerëzve në bashkësinë tonë s’janë të ndërgjegjshëm për këtë problem. S’mund të shpresojmë që shumica e tyre të zgjedhin ta hedhin tej software-in jo të lirë, vetëm e vetëm pse shpërndarja ofron një rrugë për ta bërë këtë. Dhe s’duam t’i shpiem njerëzit të instalojnë software jo të lirë. Praktikën tonë e kemi zgjedhur për ta bërë këtë të ketë pak gjasa.
Ndaj, nëse peshojmë rekomandimin ose jo të një shpërndarjeje, na duhet të peshojmë se kujt do t’ia rekomandojmë atë. Për shembull, mund të ishte:
- Përkrahës të caktuar të përkushtuar software-it të lirë që e dimë se do të përpiqen të shmangin software-in jo të lirë.
- Një grup i madh dhe i larmishëm, si, ndoshta, publiku i përgjithshëm.
Për grupin e parë, do t’ua rekomandonim privatisht njerëzve shpërndarjen, nëse shpërndarja jep një rrugë të qartë dhe të besueshme për hedhjen tej të software-it jo të lirë.
Megjithatë, për rekomandimin e një shpërndarjeje publikut të përgjithshëm, na duhet të këmbëngulim (dhe këmbëngulim) te një përkushtim shprehimisht për të mos ofruar ose sugjeruar çfarëdo programesh jo të lira. Në këtë mënyrë, e dimë se rekomandimi ynë për atë shpërndarje s’do ta shpjerë publikun drejt instalimit të cilitdo prej atyre.
Çfarë shpërndarjesh duhet të rekomandohen ose instalohen për publikun në një festë instalimesh? Nga ana morale, në një festë instalimesh s’duhet të rekomandohen apo instalohen programe jo të lirë. Por, njerëzit do të sjellin me vete kompjutera që duan përudhësa jo të lirë ose copa firmware-i, pa të cilët as që funksionojnë—pa to, do të largohen të zhgënjyer dhe do ta konsiderojnë GNU/Linux-in një dështim.
Kemi menduar një ide se si të pajtohen këto dy nevoja: festa e instalimit instalon një shpërndarje të lirë, mandej “djalli” (një person me një maskë të djallit) ofron të instalojë përudhësit jo të lirë ose copat e firmware-it që i duhen makinës.