Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Struktura dhe Administrimi i Projektit GNU

Version 1.0.1

Projekti GNU zhvillon dhe mirëmban sistemin operativ GNU. Përmes kësaj pune dhe veprimtarish të tjera të lidhura me të, Projekti GNU u del në mbrojtje dhe promovon lirinë e software-ti, filozofia bazë e lëvizjes për software të lirë.

Një sistem operativ përbëhet nga mjaft përbërës software, të cilët tok, e bëjnë një kompjuter të kryejë punë të dobishme. AI përfshin kod për funksione të shkallës së ulët, të tillë si kerneli dhe përudhësa, plus biblioteka sistemi, si dhe programe (gjëra të dobishme, mjete, aplikacione dhe lojëra) që duhen xhiruar nga përdoruesi. Sistemi operativ GNU përfshin software nga krejt kjo gamë. Mjaft nga programet janë zhvilluara posaçërisht për Projektin GNU dhe hedhur në qarkullim prej tij; këto emërtohen “paketa GNU”. Sistemi GNU përfshin gjithashtu përbërës që janë programe të lira të hedhura në qarkullim nga zhvillues të tjerë, jashtë Projektit GNU.

Siç duhet të punojnë tok në mënyrë koherente programet që përbëjnë një sistem operativ, ashtu edhe Projekti GNU duhet të funksionojë në mënyrë koherente. Shumica e punës përbëhet nga zhvillimi i programeve specifike, por këto programe s’kanë projekte të pavarur; duhet të lidhen mirë me njëri-tjetrin, që të përbëjnë sistemin GNU të cilin synojmë. Ndaj, përgjatë dhjetëvjeçarëve, kemi ndërtuar strukturë për projektin. Asgjë prej tij s’është e re, por kjo është hera e parë që kemi e dokumentuar të tërën në një vend.

Free Software Foundation ofron shumë lloje mbështetjeje (vend, pajisje, shërbime) për Projektin GNU. Se si funksionon kjo, është jashtë qëllimit të këtij dokumentimi.

Strukturë Zhvillimi Programesh

Shumica e veprimtarisë së Projektit GNU përfaqësohet nga zhvillimi i paketave software. Ja se si strukturohet zhvillimi i software-it GNU.

Shef GNUisance

Projekti GNU udhëhiqet nga Chief GNUisance, Richard Stallman, themeluesi i projektit. Chief GNUisance është përgjegjës, në parim, për krejt vendimet e rëndësishme, përfshi filozofinë dhe standardet në përgjithësi, si dhe drejton projektin në ndjekjen e tyre. Chief GNUisance deklaron paketa software-i si paketa GNU, ose e heq një prej të tille, kur është e nevojshme, si dhe cakton mirëmbajtësit e tyre.

Në praktikë, Chief GNUisance ua delegon të tjerëve mjaft prej këtyre vendimeve dhe shumicën e punëve dhe vetëm me raste ndërhyn në specifika të zhvillimit të një pakete GNU - dhe kjo zakonisht bëhet përmes një sugjerimi.

Asistent GNUisances

Ky ekip, që e ka strehën te <maintainers@gnu.org>, është pika e parë e kontaktit për mirëmbajtës software-i GNU. Ata ndjekin veprimtarinë e zhvillimit nëpër krejt projektin, duke garantuar hedhjen në qarkullim në kohë të përshtatshme, duke kontrolluar se mirëmbajtësit ndjekin filozofinë dhe drejtimet GNU, si dhe zgjidhin çfarëdo konflikti që mund të lindë. Ata merren gjithashtu me raste kur një mirëmbajtës tërhiqet, ose kur një vullnetar i ri del për mirëmbajtjen e një pakete ekzistuese (dhe në këtë rast ata mund të caktojnë një mirëmbajtës të ri, në këmbë të Chief GNUisance).

Anëtarët e rinj rekrutohen nga vullnetarë ekzistuese të GNU-së, kur duhet. Megjithatë, ndihma shpesh është e mirëpritur për punë specifike dhe vullnetarë GNU të interesuar janë të mirëpritur të lidhen me ne.

Mirëmbajtës paketash

Çdo paketë software-i GNU ka mirëmbajtës të vetin, caktuar nga Chief GNUisance ose asistenti GNUisances. Mirëmbajtësit e paketave japin llogari para Chief GNUisance, nën autoritetin e të cilit janë caktuar për atë punë dhe me raste të rralla shkarkohen dhe janë të ngarkuar me zhvillimin e paketave të tyre në emër të Projektit GNU.

Caktimi fillestar i mirëmbajtësve bëhet kur një program pranohet si paketë GNU. Zakonisht këta janë ndonjë prej zhvilluesve kryesorë që kanë pranuar ta bëjnë programin një paketë GNU.

Me kalimin e kohës mund të ndodhë që, me raste, mirëmbajtësit të tërhiqen. Në disa raste, mirëmbajtësi i vetëm tërhiqet nga roli, duke e lënë paketën pa mirëmbajtje. Chief GNUisance zakonisht ua delegon asistentëve GNUisances gjetjen dhe caktimin e mirëmbajtësve të rinj. Shihni listën e paketave nën mirëmbajtje aktualisht. U kërkojmë mirëmbajtësve të vjetër të rekomandojnë mirëmbajtës të rinj dhe i shqyrtojmë me vlerësim këto sugjerime.

Mirëmbajtësit e një pakete shpesh rekrutojnë të tjerë për të dhënë kontribut në zhvillimin e saj dhe u delegojnë atyre ndonjë ose disa vendime teknike. Sidoqoftë, mirëmbajtësit ruajnë autoritetin mbi krejt paketën, në përputhje me përgjegjësinë e tyre ndaj Projektit GNU.

Përgjegjësia parësore e një mirëmbajtësi është të kryejë një punë të mirë, praktike zhvillimi dhe mirëmbajtje të programit, në përputhje me filozofinë, politikat dhe vendimet e përgjithshme të Projektit GNU. Mirëmbajtësit duhet gjithashtu të sigurojnë se paketat e tyre funksionojnë mirë me pjesën tjetër të Sistemit GNU. Për më tepër informacion, lexoni mbi detyrat bazë të mirëmbajtësve dhe se ç’do të thotë për një program të jetë një paketë GNU.

Në përgjithësi, mirëmbajtësit përcaktojnë drejtimet teknike që marrin paketat software dhe ndaj marrim vendime nga dita në ditë për paketat. Po ashtu, për t’i bërë paketat e tyre të funksionojnë mirë tok, mirëmbajtësit mund të punojnë drejtpërsëdrejti me njëri-tjetrin dhe i nxisim ta bëjnë. Rrallë, Chief GNUisance do të marrë një vendim që prek drejtpërsëdrejti një ose më shumë paketa GNU. Mirëmbajtësit e paketave të prekura kanë përgjegjësinë të ekzekutojnë vendimin në emër të Projektit GNU.

Informacion më të plotë rreth përgjegjësish specifike të mirëmbajtësve dhe drejtim teknik për mirëmbajtjen e software-it GNU mund të gjendet te dokumentet Informacion për Mirëmbajtës Software-i GNU dhe Standarde GNU Kodimi.

Nuk kërkojmë doemos që mirëmbajtësit e paketave GNU të pajtohen me filozofinë tonë, ose të miratojnë politikat tona - vetëm t’i ndjekin ato. Mirëmbajtësit dhe kontribuesit duhet të ndjekin filozofinë, politikat dhe vendime specifike të rastit në punën e tyre me software GNU.

Kontribuoni te Zhvillimi i një Pakete GNU

Ka disa ekipe që japin lloje të ndryshme mbështetjeje për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e paketave GNU. Shumica e këtyre ekipeve kanë një bashkërendues për t’i drejtuar; në shumicën e rasteve, bashkërenduesi raporton drejtpërdrejt te Chief GNUisance, vetëm në u thëntë ndryshe. Kur jeni në mëdyshje, mund të lidheni me Bashkërendues Vullnetarësh GNU, për këshilla.

Vlerësim Software-i

Ekipi i vlerësimit të software-it te <gnueval@gnu.org> vlerëson paketa software-i të propozuara për paketa GNU. Kjo përfshin një vlerësim të kujdesshëm të asaj çka kryen software-i , si dhe probleme të lidhura drejtpërdrejt me lirinë e software-it dhe se si përshtatet programi me sistemin GNU.

Kur duhet, anëtarët e rinj rekrutohet nga vullnetarë ekzistues te GNU-ja. Përvoja e mëparshme në vlerësim software-i jo GNU te Savannah është e parapëlqyer.

Vlerësim Sigurie Software-i

Ekipi i vlerësimit të sigurisë së software-it, te <gnueval-security@gnu.org> punon me ekipin e vlerësimit të software-it. Ata përcaktojnë nëse ka ndonjë problem sigurie në software që është ofruar për GNU-në.

Kur duhet, anëtarët e rinj rekrutohet nga vullnetarë ekzistues te GNU-ja.

Ekipi i Sigurisë

Ekipi i Sigurisë ndihmon të zgjidhen në kohë të meta sigurie. Nëse mirëmbajtësi i një pakete GNU nuk i përgjigjet një raporti mbi një të metë sigurie, raportuesi mund t’ia kalojë problemin ekipit të sigurisë. Nëse vendos se problemi është urgjent, ekipi mund të hartojë një arnim dhe të publikojë një hedhje në qarkullim të ndrequr të paketës. Mirëmbajtësit munden gjithashtu t’i kërkojnë ekipit të sigurisë këshilla se si të bëhen të sigurta paketat e tyre.

Kur duhet, anëtarët e rinj rekrutohet nga vullnetarë ekzistues te GNU-ja.

Testues Platformash

Vullnetarët pas listës së postimeve platform-testers@gnu.org testojnë versione paraqarkullim software-i GNU në platforma të ndryshme hardware, për të garantuar se funksionojnë si duhet.

Vullnetarët e rinj janë të mirëpritur.

Këshillues

Këshilluesit GNU, te <mentors@gnu.org>, janë vullnetarë për të dhënë udhëheqje për mirëmbajtës të rinj software-i.

U kërkojmë atyre që janë prej kohësh mirëmbajtës GNU të dalin vullnetarë për këtë.

Korrektorë

Lista e korrektorëve përmban vullnetarë për korrektim tekstesh në anglisht, në ndihmë të mirëmbajtësve të paketave. Për të kërkuar korrektim, shkruajuni te <proofreaders@gnu.org>.

Ekipe dhe Shërbime të Tjera

Disa ekipe të tjera lehtësojnë ose administrojnë veprimet e përditshme brenda Projektit GNU, ose shtyjnë përpara synime specifike të projektit.

Komiteti Këshillimor i GNU-së

Komiteti Këshillimor i GNU-së (KKG) ekziston si njësi këshillimore për Chief GNUisance. Anëtarët e Komitetit Këshillimor caktohen nga Chief GNUisance. Në përgjithësi, Komitetit Këshillimor mbikëqyr shëndetin e Projektit GNU në emër të Chief GNUisance dhe ngrenë për diskutim probleme potenciale.

Hacker-a Savana

Savannah është farkëtaria e software-it për Projektin GNU. Ajo strehon depo kodi, mjete njoftimi të metash, ndërfaqe listash postimesh, etj. Savannah administrohet nga Hacker-at e Savanës. Këta mbajnë në punë farkëtarinë e software-it. Përveç garantimit të strehimit si duhet të software-it GNU te shërbimi, Hacker-at e Savanës vlerësojnë gjithashtu software jo GNU që aplikon për strehim te farkëtaria.

Vullnetarët e rinj janë të mirëpritur.

Webmaster

Webmaster-at GNU mirëmbajnë dhe përditësojnë faqet web te https://www.gnu.org.

Webmaster-at u përgjigjen gjithashtu llojeve të ndryshme të pyetjeve nga publiku, lidhur me subjekte të tilla si software-i dhe licencat e lira (kur përgjigja është e qartë). Ata kryejnë filtrimin fillestar të kërkesave për vlerësimin e një shpërndarjeje, vlerësojnë persona që do të donin të bëheshin webmaster-a dhe përditësojnë listën e pasqyrave.

Grupi i Webmaster-ave GNU drejtohet nga Shefi i Webmaster-ave që përgjigjet para  Chief GNUisance. Vullnetarët e rinj janë të mirëpritur. ShihniPyetësor për Vullnetar për Webmaster.

Përkthyes Web-i

Çdo gjuhë ka një ekip përkthimi, të drejtuar nga një bashkërendues ekipi. Për më tepër hollësi, shihni Udhërrëfyes për Përkthimin e Faqeve Web tën www.gnu.org. Bashkërenduesit e ekipeve përgjigjen para Përgjegjësit të Përkthimeve të GNU-së, i cili përgjigjet para Chief GNUisance.

Ndihmues Listash

Ndihmuesit e Listave është një sistem për administrim gjysmë të automatizuar mesazhesh të padëshiruar dërguar te lista postimesh GNU. Shumica e mesazheve të padëshiruara kapet nga filtrat përkatës, por janë edhe moderatorët qenie njerëzore për administrimin e radhës së mesazheve që pritet të mos jenë të padëshiruar.

Kur duhet, anëtarët e rinj rekrutohet nga vullnetarë ekzistues te GNU-ja.

Bashkërendues Vullnetarësh GNU

Bashkërenduesit e Vullnetarëve GNU, te <gvc@gnu.org>, ndihmojnë të drejtohen vullnetarë të rinj drejt punësh të përshtatshme brenda Projektit GNU

Vullnetarë të rinj për Bashkërendues Vullnetarësh GNU janë të mirëpritur, por rekomandohet shumë përvojë e mëparshme brenda GNU-së (dhe pra një njohje e gjerë e Projektit GNU).

Ekipi GNU i Edukimit

Ekipi GNU i Edukimit promovon birësimin e Sistemit Operativ GNU në mjedise edukative. Gjithashtu vlerëson shkolla dhe komunikon me përgjegjës shkollash.

Vullnetarët e rinj janë të mirëpritur.

Grupi për Standarde GNU

Grupi për Standarde GNU vlerëson propozime për përditësim të standardeve GNU të kodimit. Cilido mund të parashtrojë një propozim, përmes listës së postimeve bug-standards. Grupi mandej e diskuton dhe e vlerëson propozimin për t’u marrë me krejt hollësitë dhe pasojat e tij. Mandej ata e paraqesin propozimin dhe një rekomandim për të te Chief GNUisance, i cili merr vendimin. Grupi është gjithashtu përgjegjës për instalimin e ndryshmeve te dokumenti, si dhe për përditësimin e dokumentit në web.

Kur duhet, vullnetarë të rinj rekrutohen nga radhët e vullnetarëve ekzistues GNU.

Ndreqje Gabimesh

Nëse gjejmë gabime apo gjëra të harruara në këtë përshkrim të strukturës ekzistuese, që janë të mundshme, ngaqë më parë s’kishte fare dokumentim të centralizuar, do ta përditësojmë këtë dokument, si versionin Org, ashtu edhe versionin HTML, duke shtyrë para shifrën e tretë te numri i versionit. Versionet më të vjetër do t’i ruajmë në një nëndrejtori.

Ndryshime të Ardhme në Strukturën Administrative

Për ndryshime në strukturën administrative të Projektit GNU vendoset nga Chief GNUisance, pas fillimit të konsultimeve me kontribues GNU, zakonisht në listat përkatëse të Projektit GNU. Synimi i këtyre konsultimeve është të shihet alternativa të mundshme dhe të vlerësohet paraprakisht se ç’efekte të mira a të liga do të kenë, për të marrë një vendim të pjekur.

Për të njoftuar ndryshime që janë adoptuar, do të përditësojmë këtë dokument, si versionin Org, ashtu edhe versionin HTML (shihni ndarjen e mëparshme), duke shtyrë para shifrën e parë dhe/ose të dytë të numrit të versionit.


Ka gjithashtu dhe një version Org të këtij dokumenti.

operativ ërbëhet