Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Pse Programet Duhen Ndarë Me të Tjerët

Shënim i redaktorit: Ky tekst u gjet në një kartelë të majit 1983, edhe pse s’është e qartë nëse qe shkruar atëherë apo më herët. Në maj të 1983-shit, Richard Stallman po bluante në mendje privatisht mundësinë e zhvillimit të një sistemi operativ të lirë, por mund të mos kish vendosur ende për ta bërë një sistem të ngjashëm me Unix, apo diçka të ngjashme me MIT Lisp Machine.

S’kishte bërë ende dallimin, nga ana konceptuale, të dy kuptimeve të termit “i lirë”; ky mesazh është formuluar sipas kuptimit falas, por merr të mirëqenë se kështu përdoruesit kanë liri gjithashtu.


Pesë vjet më parë, dikush mund ta merrte të mirëqenë se çfarëdo programi i dobishëm i shkruar në SAIL, MIT, CMU, etj, do të ndahej me të tjerë. Prej atëherë, këto universitetet kanë zënë të sillen mu si shoqëritë e software-it - gjithçka e dobishme do të shitet për qimet e kokës (zakonisht pasi është shkruar me shpenzimet e qeverisë).

Njerëzit gjejnë një mori shfajësimesh pse është e dëmshme të jepet falas software.-i Këto probleme të supozuara nuk na shqetësuan atëherë kur donim të ndanim me të tjerë dhe nuk kanë pasur ndikim mbi EMACS, ndaj dyshoj se janë të rremë.

Për shembull, njerëzit thonë se shoqëritë do ta “vjedhin” dhe do ta shesin. Në qoftë kështu, kjo s’do të ishte më keq se sa ta shiste vetë Stanford-i! Të paktën njerëzit do të kishin mundësinë të merrnin një kopje falas. Përdoruesit duan të blejnë software që mirëmbahet? Atëherë lërini njerëzit të shesin kontrata shërbimi - por vetë software-in jepeni lirisht.

Mendoj se mund të heq qafe çfarëdo arsyesh që mund të mendoni se ekzistojnë për të mos ndarë software-in me të tjerë. Por më e rëndësishme është arsyeja pse duhet ta ndajmë me të tjerët:

Nëse do të hiqeshin pengesat artificiale, do të arrinim më tepër me të njëjtin mundim. Dhe do të ndiheshim më tepër në harmoni me këdo tjetër.

Ndarja e software-it me të tjerë është forma që bashkëpunimi shkencor merr në fushën e informatikës. Universitetet dikur e mbronin parimin e bashkëpunimit shkencor. A është e drejtë për to ta hedhin këtë parim për hir të fitimeve?

A duhet t’i lejojmë?

Mu tani, studentë këtu merren me programim projektesh që janë të menduara posaçërisht për t’u shitur. Por nëse krijojmë një klimë opinioni si ajo e pesë vjetëve më parë, universiteti s’do të guxonte ta bënte këtë. Dhe nëse filloni të ndani me të tjerë, të tjerë njerëz mund të fillojnë të ndajnë me ju.

Ndaj le të fillojmë sërish të ndajmë me të tjerët