Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Grupe dhe Projekte

Ka disa grupe dhe ente në botë që ndjekin filozofinë e GNU-së dhe merren me projekte që synojnë prurjen e software-t të lirë në fushën e arsimit. Pak prej tyre radhiten më poshtë. Nëse projekti juaj mbulon vetëm software të lirë dhe nuk shfaqet këtu, ju lutemi, lidhuni me ne përmes <education@gnu.org> për të na e bërë të ditur.

FSFE Education Project
“Ekipi i FSFE-së për Arsimin ekziston për të shtuar ndërgjegjësimin ndaj software-it të lirë dhe sjellë përfitimet e tij për krejt grupet e përfshira në edukim. Ai synon për një kuadër ligjor që ndal diskriminimin kundër software-it të lirë dhe përdoruesve të tij”.
Projekti FUSS
FUSS (Free Upgrade for a Digitally Sustainable School) është një projekti i nisur në Itali më 2005-n, me synimin e sjelljes së software-it të lirë në shkolla në Provincën Autonome të Bolcanos. Shpuri në migrimin në software të lirë të krejt shkollave në gjuhën italiane në Trentino-Alto Adixhe.
GURI
Guri është një grup që lindi brenda një shkolle të mesme në Itali si përfundim i një programi të ndërmarrë nga OJQ Hipatia për të shtuar ndërgjegjësimin rreth rolit të software-it të lirë në fushën e edukimit. Guri kundërshton praktikën që shtohet të trajtimit të dijes si të qe objekt i prekshëm dhe subjekt pronësie. Lufton për të ndryshuar kuadrin kulturor mbizotërues në Itali i cili pengon ushtrimin e disa të drejtave të rëndësishme të njeriut duke përbërë kërcënime të rrezikshme për liritë tona, të tilla si patenta mbi software-in, ligje të njëanshëm të drejtash kopjimi dhe adoptim software-i pronësor, nënshtrues.

Synimet e projektit Guri janë të shndërrohet sistemi edukativ, që të jetë i bazuar përjashtimisht në software të lirë, për të zgjeruar liritë që ky akordon në çdo fushë të dijes. Guri beson te fuqia e edukimit për t’i dhënë formë një shoqërie më të mirë, duke u mësuar nxënësve vlerat e të përbashkëtës dhe bashkëpunimit. Përkrah dhe punon për një sistem jo piramidal që e ndan dijen me të tjerët si një të mirë themelore për njerëzimin, një sistem në të cili kushdo mund të marrë pjesë lirisht dhe të përdorë dijen pa kufizime.

Për të arritur këto synime, grupi ndërmerr veprime kryesisht në mjedise shkollash të mesme dhe universitetesh, duke organizuar praktike dhe kurse për të promovuar ndërgjegjësimin rreth parimeve etike të software-it të lirë.

Hipatia
Hipatia është një OJQ ndërkombëtare (ent jo qeveritar) që mbron të drejtën e të gjitha qenieve njerëzore të hyjnë në, përdorin, krijojnë dhe ndryshojnë dijen. Është formuar nga njerëz anembanë botës, që militojnë për idealet e lëvizjes së software-it të lirë dhe punojnë për vënien në jetë të këtyre parimeve. Hipatia e vë theksin te rëndësia e përdorimit të software-it të lirë në arsim; për këtë, anëtarë të saj shpesh organizojnë praktika në institucione arsimore, veçanërisht në shkolla të niveleve fillore dhe të mesme.

Emri i grupit i referohet filozofit grek Ipatia.

IT@School
IT@School është një projekt që qeveria e Keralas, Indi, e nisi më 2001-shin për të futur në shkollat e shtetit Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit. Si pjesë e projektit, u zhvillua një sistem operativ GNU/Linux i përshtatur, i cili sot përdoret nga më tepër se 2600 shkolla në këtë shtet. Kualifikimet për të përdorur Software-in e lirë u shtrinë në mijëra mësues, bashkërendues shkollash dhe studentë.
Sugar Labs
Sugar Labs është një projekt që jep platformën Sugar të të nxënit, një ndërfaqe e hartuar posaçërisht për të lehtësuar përdorimin e kompjuterave nga fëmijët, me një vëmendje të posaçme në përdorimin e tij në mjedise arsimore.