Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Si të kihet ndihmë rreth software-it GNU

Projekti GNU nuk ofron asistencë teknike, as Free Software Foundation. Misioni ynë është zhvillojmë, ruajmë dhe mbrojmë software-in e lirë. Ju lutemi, mos na dëgoni email, apo të telefoni Zyrën e FSF-së, për asistencë teknike.

Dokumentacion për Projektin GNU mund të keni përmes metodash të ndryshme, e kjo mund të sillte përgjigje për mjaft nga pyetjet tuaja.

Njoftim të metash

Sot, plot shoqëri rishpërndajnë software-e GNU, shpesh si pjesë e një shpërndarjeje GNU/Linux. Kur gjeni të meta në një program GNU që e instaluat si pjesë të një shpërndarjeje të dhënë GNU/Linux, ju lutemi, provoni fillimisht ta njoftoni të metën drejtpërsëdrejti te shpërndarësi, jo te ne, duke përdorur lista postimesh ose formularë web të shpërndarësit. Shpërndarësit rëndom ndryshojnë software-in GNU origjinal hedhur në qarkullim prej nesh (ngaqë janë të lirë të bëjnë kështu!) dhe/ose shpërndajnë versione të vjetër. Mirëmbajtësit e paketave origjinale zakonisht nuk kanë dijeni se çfarë ka bërë një shpërndarës i dhënë.

Sidoqoftë, nëse gjeni një mangësi në hedhjen e rregullt në qarkullim të një pakete GNU, duam ta marrim vesh. Se ku të njoftoni të meta për një paketë të dhënë, mund ta mësoni te sa vijon:

Kur marrim njoftim për një të metë te një nga hedhjet e rregullta në qarkullim, zakonisht provojmë ta zgjidhim problemin. Edhe pse ndreqjet tona të të metave mund të duken si asistencë vetjake, nuk janë të tilla; janë pjesë e përgatitjeve për një version të ri të përmirësuar. Mund t’ju dërgojmë një arnim për një të metë e kështu ju të mund të ndihmoni në provimin e ndreqjes dhe të garantoni cilësinë e tij. Nëse njoftimi juaj për një të metë nuk merr zgjidhje nga ana jonë, mund t’ju vijë një e tillë prej një përdoruesi tjetër i cili lexon listat tona të postimeve mbi të metat.

Me fjalë të tjera, ju lutemi, mos na kërkoni t’ju ndihim si të instaloni software-e apo si të mësoni ta përdorni—por na tregoni ama se si dështon një programth instalimi apo kur dokumentimi nuk është i qartë.

Nëse për një të metë me peshë nuk ka reagim nga mirëmbajtësi pas një periudhe kohore të arsyeshme (ju lutemi, prisni të paktën dy javë), mund ta “përshkallëzoni” aksionin tuaj duke i shkruar <mirëmbajtësit@gnu.org>. Kjo do të duhej bërë veçanërisht kur nuk mund të gjeni shenja aktiviteti së fundmi nga mirëmbajtësi.

Kur dërgoni një njoftim të mete, ju lutemi, mos përfshini bashkëngjitje shumë të mëdha. Për mesazhet drejt listave GNU të postimeve ka një kufi prej 200k dhe, gjithçka më e madhe se kaq, do të hidhet tej automatikisht. Për ngarkimet te Savannah ka një kufi prej 16 MB. Rruga më e mirë është të vendosen kartelat diku në internet dhe URL-të për to të përfshihen te mesazhi juaj. Nëse nuk keni mundësi ta bëni këtë, kërkoni ndihmë; mund të bëhet diçka për ta zgjidhur.

Si të kihet ndihmë e përgjithshme

Strehojmë një numër listash postimesh rreth software-i GNU dhe tjetër software të lirë, si për njoftim të metash, ashtu dhe për diskutime të përgjithshme dhe ndihmë. Listat e postimeve që fillojnë me help- janë lista për të pasur ndihmë nga bashkësia. Nëse nuk gjeni dot një listë postimesh për një program të caktuar, ju lutemi, përdorni listën e postimeve help-gnu-utils.

Drejtoria GNU e Shërbimeve është një listë e personave që ofrojnë asistencë dhe shërbime të tjera këshillimore. (Në atë faqe gjendet edhe të dhëna kontaktesh për lista të reja dhe të përditësuara.)

Ka gjithashtu kanale aktive IRC për software-in GNU te të cilët mund të të fjaloseni me programues dhe përdorues të tyre.