Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.
Shkolla Ungjillore e Krishterë e Njukenit (ECEN)
Vendndodhja
Qyteti i Njukenit, kryeqendra e Provincës së Neuquén, në Rajopnin e Patagonisë, Argjentinë.
Mbi
Ne jemi një shkollë private e krishterë që ofrojmë arsimim nga niveli parashkollor deri në atë të arsimit të mesëm, në përputhje me kërkesat arsimore të shtetit.
Në Argjentinë, çdo provincë harton politikën e vet arsimore. Në rastin e provincës së Njukenit, dhënia mësim e informatikës në shkollat fillore s’është e detyruar. Në fakt informatika është një lëndë jashtë planit mësimor.
Motivim
Shkolla jonë mbron idealet e solidaritetit, ndershmërisë, shkëlqimit në edukim, zbatimin e ligjit, kërkimin e vazhdueshëm të së vërtetës, drejtësi dhe dashuri në krejt veprimtarinë e përditshme. Përdorimi dhe dhënia mësim e software-it pronësor qe në kontrast me këto vlera. Drejtuesit dhe mësuesit e shkollave qenë gjithashtu të ngopur me administrim licencash software-i dhe nga shumë kufizime që kushtet e këtyre licencave impononin mbi shkollën.
Gjatë procesit të marrjes së vendimit u morën parasysh edhe cilësia e arsimit dhe synimet afatgjata. Mendimi ynë është se të stërvitësh nxënësit se si të përdorin një markë të caktuar software-i është largim nga misioni i një shkolle.
Si Ia Arritëm
Gjithë procesi zgjati katër vjet: e filluam më 2006-n me krejt kompjuterat tanë që përdornin software pronësor dhe mbërritëm më 2010-n me sisteme operative dhe programe plotësisht të listë në krejt kompjuterat e shkollës, përfshi zyrat e administriit dhe bibliotekën.
Plani përbëhej nga disa masa që synonin në rritjen e ndërgjegjësimit rreth implikimeve filozofike, etike dhe shoqëroro-politike të përdorimit të teknologjisë. Ky aspekt themelor u ruajt dhe u theksua gjatë tërë procesit dhe u vu në zbatim përmes zëvendësimit gradual të programeve pronësore ekzistuese me programe Software i Lirë Libre.
Gjatë vitit të parë krijuam disa kurse teorike, si “Historia e Informatikës” dhe “Hyrje në Arkitekturën e Kompjuterave”. U morëm gjithashtu me aspektet ligjore të software-it, të tilla si llojet e ndryshme të licencave dhe folëm rreth përkushtimit të përdoruesve dhe zhvilluesve të Software-it të Lirë ndaj bashkësisë.
Për mësuesit e nivelit të shkollave të mesme, drejtorinë dhe nëpunësit e administratës, si dhe për bibliotekarin, u mbajtën kurse kualifikimi për fushat e TI-së dhe krejt fushat e tjera.
Për të kryer migrimin u përdorën burimet njerëzore vijuese:
- 1 mësues informatike për nivelet parashkollore dhe fillore. Ky mësues është gjithashtu i ngarkuar me mirëmbajtjen e kompjuterave në sallën e kompjuterave dhe me kualifikimin e mësuesve të tjerë dhe nëpunësve të shkollës për përdorimin e sistemit operativ.
- 5 mësues informatike për nivelin e shkollës së mesme.
- 1 teknik kompjuterash dhe rrjeti, i ngarkuar me riparimin e kompjuterave për nivelit të shkollës së mesme.
- 1 programues Software-i të Lirë i kontraktuar për të shkruar Sistemin e Trajtimit Administrativ.
- 1 profesor TI i kontraktuar për kualifikimin e trupës mësimore.
Kostot e migrimit qenë të përballueshme dhe pa problem brenda buxhetit të shkollës:
- Riparime PC-sh: Më 2006-n, ECEN-i kontraktoi një teknik kompjuterash të cilit iu dha dokumentim Software-i të Lirë dhe një DVD sistemi operativ në përdorim. Shkolla ka punuar me të, që prej asaj dite.
- Kualifikim: 60 orë kualifikimi për trupën mësimore.
Përkushtimi ndaj Software-it të Lirë
Nga 2010-a, përdorim sisteme operative plotësisht të lirë, jo me nisje duale, si vijon:
- 22 PC në sallat parashkollore dhe fillore (nxënës 4-12 vjeç)
- 24 PC në sallat e të mesmes (nxënës 13-17 vjeç)
- 7 PC në zyrën e administratës
- 3 PC në bibliotekë
- 1 portativ te dhoma e videos
Disa nga programet e Lira që përdorim janë:
- Automatizim zyre: LibreOffice
- Shtypje në tastierë: KTouch
- Grafikë: GIMP
- Vizatim teknik: QCad
- Grafikë: Scribus
- Video: Përpunuesi OpenShot i Videove
- Animacion 3D: Blender
Përfundime
Rrjedha e migrimit na u duk goxha pozitive dhe vendosëm të adoptojmë mjedis Software-i të Lirë në krejt makinat. Në tetor 2009 shkolla sponsorizoi Ditën e Lirisë së Software-it në qytetin San Martín de los Andes.
Edhe pse u desh përkushtim dhe këmbëngulje, procesi qe i këndshëm. Tani përhapim ç’mësuam, që të mund të ndihmohen bashkësi të tjera edukative.
Do të donim të shprehnim vlerësimin tonë për punën e shkëlqyer të kryer nga krejt personat e përfshirë në projektin e migrimit.
Informacioni vijues është nxjerrë nga një raport parashtruar neve nga mësuesja e fillores në ECEN, Debora Badilla Huento. Përkushtimi i saj luajti një rol kyç në shtimin e ndërgjegjësimit për Software-in e Lirë dhe për ta bërë më në fund shkollën të migrojë.