Arratisuni në Liri: Një video nga FSF-ja
Ç’është GNU-ja?
GNU-ja është një sistem operativ që është software i lirë—pra, që respekton lirinë e përdoruesve. Sistemi operativ GNU përbëhet nga paketa GNU (programe të hedhur në qarkullim enkas nga Projekti GNU) si dhe software i lirë i hedhur në qarkullim nga palë të treta. Zhvillimi i GNU-së bëri të mundur përdorimin e një kompjuteri pa software që nëpërkëmbin lirinë tuaj.
Këshillojmë versione të instalueshëm të GNU-së (më saktë, shpërndarje GNU/Linux) që janë plotësisht software i lirë. Më tepër mbi GNU-në gjeni më poshtë.
Dragora 3.0-beta2 me desktopin TDE
Ç’është Lëvizja Për Software-i i Lirë?
Lëvizja për software të lirë lufton që përdoruesit e kompjuterit të fitojnë lirinë që sjell software-i i lirë. Software-i i lirë vendos përdoruesit në kontroll të punës së tyre me kompjuter. Software-i jo i lirë i vendos përdoruesit nën pushtetin e zhvilluesit të software-it. Shihni videon shpjeguese.
Ç’është Software-i i Lirë?
Software i Lirë do të thotë që përdoruesit janë të lirë të xhirojnë, kopjojnë, shpërndajnë, studiojnë, ndryshojnë dhe përmirësojnë software-in.
Software-i i lirë është çështje lirie, jo çmimi. Për të kuptuar konceptin, do të duhej të sillnit në mend “i lirë”, si te “fjala e lirë”, jo si te “birrë falas”.
Më saktë, software i lirë do të thotë që përdoruesit e një programi gëzojnë katër liritë thelbësore:
- Liria për ta xhiruar programin si të doni, për çfarëdo qëllimi (liria 0)
- Liria për të studiuar se si punon programi dhe për ta ndryshuar që të bëjë llogaritjet tuaja ashtu si doni ju (liria 1). Hyrja në kodin burim është parakusht për këtë.
- Liria për të rishpërndarë kopje, që kështu të mund t’u vini në ndihmë të tjerëve (liria 2).
- Liria për t’u shpërndarë të tjerëve kopje të versioneve tuaj të modifikuar (liria 3). Duke bërë kështu mund t’i jepni krejt bashkësisë një shans për të përfituar nga ndryshimet tuaja. Parakusht për këtë është hyrja në kodin burim.
Zhvillimet në përdorimin e teknologjisë dhe rrjeteve i kanë bërë këto liri edhe më të rëndësishme tani se ç’qenë më 1983-shin.
Sot lëvizja për software të lirë shkon shumë më tej se zhvillimi i sistemit GNU. Për më tepër hollësi mbi çka bëjmë dhe për një listë rrugësh se si mund të ndihmoni, shihni sajtin e Free Software Foundation-it.
Më tepër rreth GNU-së
GNU është një sistem operativ i ngjashëm me Unix-in. Kjo do të thotë që është një grumbull i mjaft programeve: aplikacione, librari, mjete zhvilluesi, madje edhe lojëra. Zhvillimi i GNU-së, i nisur më janar të 1984-s, njihet si Projekti GNU. Mjaft nga programet te GNU-ja janë hedhur në qarkullim nën kujdestarinë e Projektit GNU; këto i quajmë paketa GNU.
Emri “GNU” është një akronim rekursiv i “GNU's Not Unix”. “GNU” shqiptohet gnu, si një rrokje e vetme, si kur thuhet “dru”, por duke zëvendësuar dr-në me gn-në.
Programi, që në një sistem të ngjashëm me Unix-in shpërndan burimet e makinës dhe komunikon me hardware-in, quhet “kernel”. GNU-ja përdoret zakonisht me një kernel të quajtur Linux. Kjo ndërthurje përbën sistemin operativ GNU/Linux. GNU/Linux përdoret nga miliona vetë, edhe pse mjaft prej tyre e quajnë gabimisht “Linux”.
Kerneli i vetë GNU-së, GNU Hurd, u fillua më 1990 (para se të fillohej Linux-i). Vullnetarët vazhdojnë ta zhvillojnë Hurd-in, ngaqë është projekt teknik interesant.